Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, Foto:ZKM

Latifi: Gjendja në Klinikën e Psikiatrisë është e njëjtë me xhunglën e Amazonës

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka paralajmëruar ndërtimin e Klinikës së psikiatrisë në QKUK. Sipas ministrit, gjendja që e ka parë në atë klinikë ka qenë e njëjtë me ato që ka parë në Xhunglën e Amazonës e në shtetet Afrikane.

Latifi ka thënë se është e papranueshme që të pikë uji nga tavani e më pas të ketë kontakt me rrymën dhe në afërsi të jenë pacientët e stafi shëndetësorë.

Latifi ka thënë se tashmë ka dërguar një ekip të ushtrisë amerikane që ta vlerësojë gjendjen e ndërtesës.

“Kam vizituar spitale rajonale, shumë komuna, shumë QMF dhe s’kam mrri me i pa të gjitha. Kam qenë një ditë në psikiatri jo si pacient por si ministër, ju kisha lut të gjithë deputetëve shkoni në psikiatri. Shkoni si vrojtues si qytetarë, unë jam tmerru. E kam dërgu një ekip të ushtrisë amerikane që me vlerësu gjendjen atje në mënyrë që me rindërtu atë ndërtesë. S’po flas keq për gjendjen e xhunglës së Amazonës, as për Peru e as për Brazil sepse vetëm në vende të tilla kam pa. Është çështje e menaxhmentit. Uji rrjedh nga tavani e bie afër rrymës e aty afër ka pacientë e punëtorë shëndetësorë”, ka thënë latifi.

Latifi tha se të gjitha këto janë rezultat i vizitave që po i bën.