Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, Foto:ZKM

Latifi: Buxheti për listën esenciale të barnave do të rritet

Pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, ministri i Shëndëtesisë, Rifat Latifi, ka thënë se buxheti për listën esenciale të barnave do të rritet.

Latifi nuk është deklaruar se sa do të jetë shuma që do të ndahet për barnat.

Ai në një konferencë për media tha se buxheti për listën esenciale të barnave nuk ka qenë asnjëherë më i lartë se tani.

“Buxheti për listën esenciale do të rritet, edhe tash është rrit shumë më shumë sesa ka qenë përpara. Unë nuk i kam numrat këtu. Asnjëherë në historinë e Kosovës qeveria nuk ka dhënë më shumë të holla për listen esenaciale të barnave” – ka thënë ai.

Një nga çështjet kryesore të shërbimeve cilësore mjekësore është edhe furnizimi i sigurt e me kohë me barna nga lista esenciale.

Vazhdimisht ka ankesa nga pacientë se detyrohen të blejnë vet barnat të cilat janë në listën esenciale.

Para pak ditëve, Shërbimi Spitalor Universitar i Kosovës ka publikuar listën e kompanive farmaceutike të cilat kanë bërë vonesa në furnizim me barna dhe material shpenzues.

Sipas njoftimit të ShSKUK-së, janë shtatëmbëdhjetë kompani që kanë bërë vonesën e 17 produkteve.

ShSKUK ka njoftuar se këto kompani janë duke u gjobitur sipas Ligjit të Prokurimit Publik.