Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi/ Foto: KALLXO.com

Latifi: Ata që më kritikojnë duhet të kenë durim, shëndetësia kosovare do të bëhet në 5 ose 10 vitet e ardhshme

Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Rifat Latifi, ka ripërsëritur qëndrimet e tij se shëndetësia në Kosovë nuk mund të rregullohet brenda një periudhe të shkurtër kohore, duke shtuar se mjekët e Kosovës duhet të specializohen jashtë në mënyrë që shëndetësia kosovare të bëhet pjesë e botës.

Sipas Latifit, shëndetësia nuk do të rregullohet as brenda nate por as brenda dy viteve të ardhshme.

“Gjendja emergjente në shëndetësinë e Kosovës nuk është kriju më 19 nëntor, ka qenë qe disa vite dhe ka me vazhdu edhe disa vite. Nëse ju gazetarët dhe secili ekspert të botë e dini ndonjë mënyrë tjetër që me zhvillu shëndetësinë brenda nate apo brenda disa muajve, të lutem eja kallxom. Për këtë na duhet ndërtimi i kapaciteteve tona, të cilën ne nuk mund ta bëjmë vetëm. Ne duhet të trajtohemi nga ekspertë në mënyrë që të bëhemi pjesë e botës” – ka deklaruar Latifi para gazetarëve.

Gjithashtu ai u është përgjigjur kritikave të shumta në lidhje me udhëtimet e shumta zyrtare duke thënë se transformimi i shëndetësisë në Kosovë pritet të ndodhë në 5 ose 10 vitet e ardhshme andaj i ka lutur kritikët që të kenë më shumë durim.

“Ata që më kritikojnë, kanë të drejtat e tyre sepse për atë është demokracia. Ju kisha lutë që të kenë pak më shumë durim sepse mjekësia nuk bëhet brenda natës e nuk ka me u bë as brenda këtij viti e as brenda vitit të ardhshëm, por po flas për pesë deri në dhjetë vjetët e ardhshme. Deri atëherë unë s’mundem me shku në Pejë e më marrë ekspertë për me e rregullu Prishtinën ose këta të Prishtinës me i çu në Prishtinë. Ne duhet të shkojmë jashtë ose duhet t’i marrim ata jashtë me na mësu neve” – ka shtuar Latifi.