
Kandidati për deputet, Smajl Latifi. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Latifi (AAK): Do t’i rrisim subvencionet për fermerët
Kandidati për deputet nga koalicioni AAK-Nisma, Smajl Latifi, gjatë prezantimit të programit zgjedhor për sektorin e bujqësisë ka premtuar rritjen e subvencioneve për fermerët.
Ai tha se me “qeverisjen e tyre” subvencionet nuk do të vonohen me qëllim që ato të jenë më lehtë të shfrytëzueshme për përfituesit.
“Ne do t’i rrisim subvencionet për fermerët. Do t’i rrisim vlerat financiare për sipërfaqe dhe për rendiment. Dhe, ne nuk do t’i vonojmë subvencionet. Do t’i hapim në mars sepse atëherë u duhen [fermerëve]. Vonesat janë të papranueshme”- tha Latifi, më 30.01.2025.
Kritikat nuk munguan për Qeverinë Kurti për mënyrën se si u subvencionuan bujqit në Kosovë.
Latifi tha se do të ketë rishikime të “thella” me qëllim të parandalimit të korrupsionit në raste të tilla.
“Do ta mundim korrupsionin përmes rishikimit të thellë edhe nga pikëpamja e efektivitetit, kontrollit, menaxhimit dhe shpërndarjes e mbi të gjitha kritereve, sepse nuk jemi suedezë, as bujq holandezë. Nuk mund t’i thuhet bujkut në vitin e fundit se duhesh me i pas 15 mijë euro të deklaruara në Administratën Tatimore kur ai nuk ka sigurim bujqësor, nuk ka treg të siguruar, asgjë të sigurt”- tha Latifi.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.
RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” në nisje të debatit për infrastrukturë, ambient dhe bujqësi tha se: “Rrugët nuk janë mbërri me u ndreq, mirëpo nashta i kishim falë diqysh nëse e kishin ndreq bile ambientin. Për fat të keq Deponia e Mirashit dhe deponitë e mbeturinave janë në gjendje katastrofale sot e kësaj dite në Kosovë. Asnjëri prej impianteve të ujërave të zeza që ka pasë me u kry nuk është përfundu”.
Për më shumë lexoni në tekstin në vijim: