Largohet edhe një grup i afganëve nga Kosova për në SHBA

Gjithsej 600 afganë të cilët ishin vendosur përkohësisht në Kosovë janë larguar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sot një grup i afganëve kanë marrë udhë për SHBA. Përderisa, Ambasada e SHBA-së në Kosovë përmes një postimi ka falënderuar Kosovën për mirëpritjen e tyre.

“Pasi plotësuan të gjitha kërkesat e sigurisë dhe ato mjekësore, një grup tjetër afganësh u larguan sot për Shtetet e Bashkuara. Falë bujarisë së Kosovës, mbi 600 afganë të pritur përkohësisht në Camp Liya/Bondsteel janë larguar dhe do të kenë një shans të dytë për të ndërtuar jetë të reja në SHBA. Faleminderit Kosovë!”, thuhet në postimin e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

Pasi talibanët morën pushtetin në Afganistan në gusht të vitit të kaluar, SHBA-ja nisi përpjekjet për largimin e afganëve të cilët kishin punuar për Uashingtonin dhe shtetet aleate, pasi ata dhe familjet e tyre ishin të rrezikuar nga rikthimi i talibanëve në pushtet.

Kosova ishte zotuar të pranojë deri 2,000 shtetas afganë, derisa atyre t’iu përfundojnë procedurat ligjore për riatdhesim në SHBA dhe vende të tjera.

Më shumë se 1,300 afganë janë strehuar në Kosovë që nga gushti 2021, kur është nënshkruar marrëveshja mes Kosovës dhe SHBA-së për strehimin e tyre deri në 365 ditë.

Afganët e vendosur në Kosovë raportohet se kanë qenë kryesisht bashkëpunëtorë të SHBA-së dhe NATO-s, gjatë pranisë së tyre në Afganistan, nga viti 2001 deri më 2021.

Ata ishin vendosur në kampin amerikan Bondsteel dhe në një dhe një kamp tjetër afër tij i njohur si kampi ndërtimor Bechtel-Enka. Që të dy këto kampe janë në afërsi të qytetit të Ferizajt dhe distanca mes tyre është më pak se dy kilometra.

Disa afganëve, të strehuar përkohësisht në Kosovë, u është refuzuar hyrja në Shtetet e Bashkuara, për shkak se të njëjtit nuk kanë kaluar procesin e verifikimit. Këtë e ka konfirmuar para disa ditëve vetë Departamenti Amerikan i Shtetit.