Largohen edhe 51 shtetas afganë nga Kosova për në Amerikë-FOTO

51 qytetarë afganë, të cilët javë më parë u strehuan në Kosovë për shkak të gjendjes së krijuar në Afganistan, janë nisur për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kështu ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në Facebook.

“Sapo u përshëndetëm me 51 qytetarë afganë, të cilët i strehuam përkohësisht për disa javë në Republikën e Kosovës. Si pjesë e marrëveshjes me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ata do të vazhdojnë rrugëtimin e tyre për një jetë më sigurt dhe më të mirë në SHBA”, ka shkruar Sveçla.

Drejtori për Siguri Publike në MPB, Mensur Hoti deri sa po përshëndetej me qytetarët afganë, Foto: Facebook

Ai shtoi se Qeveria e Kosovës, bashkë me NATO-n dhe Qeverinë e SHBA-ve, do të vazhdojë bashkëpunimin edhe më tutje, për të realizuar transferimin e qytetarëve afganë nga Kosova për në vendet e tjera.

“Jemi të përkushtuar për një shoqëri demokratike dhe që bashkë me aleatët tanë të ndihmojnë në ndërtimin e paqes dhe stabilitet në rajon dhe më gjerë”, shkroi tutje Sveçla.

Përmes këtij postimi, Sveçla ka publikuar edhe disa fotografi ku shihen zyrtarët e MPB-së deri sa po përshëndeten me qytetarët afganë.