Screenshot nga video e publikuar në faqen e Behgjet Pacollit

Largimi me forcë i të miturës lëmoshëkërkuese nga lokali, Policia interviston kamarierin

Më 25 dhjetor, u publikua një video ku shihej kamerieri që e kishte nxjerrë me forcë nga lokali një vajzë të mitur lëmoshëkërkuese, teksa ajo po ishte afruar afër tavolinës ku ishte ulur ministri i Bujqësisë, Faton Peci. Një ditë më vonë, më 26 dhjetor, i dyshuari është intervistuar.

Ky rast ka ndodhur në njërën prej kafiterive në sheshin “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com drejtoresha e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Jugut, Afërdita Mikullovci.

“Ju njoftojmë se rasti ka ndodhur në një kafiteri në sheshin “Adem Jashari” në Mitrovicë, rasti është trajtuar dhe është intervistuar i dyshuari, ndërsa me rekomandim të prokurorit rasti është iniciuar “vetëgjyqësi” – ka thënë Mikullovci për KALLXO.com.

Pas shpërndarjes së videos ku shihej e mitura duke u larguar me forcë nga lokali kishte reaguar edhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci.

Peci kishte thënë se distancohet nga secili akt që përcjellë dhunë ndaj çdo qytetari të Republikës së Kosovës, e ndaj fëmijëve në veçanti, pa dallim feje, etnie a komuniteti.

Sipas tij, në mungesë të skandaleve në institucionin të cilin ai e udhëheq si dhe për t’i zbehur sadopak sukseset në sektorin e bujqësisë ka njerëz që e përcjellin atë duke e xhiruar vazhdimisht.

“I ka rastisur secilit që kur bisedon me tjetrin, vëmendja është vetëm tek bashkë-biseduesi e jo tek i gjithë lokali. Kete pamje per here te pare e pashe ne rrjete sociale e ne media.Nga ana tjetër, unë nuk jam përgjegjës për veprimet e asnjë individi të moshës madhore e sidomos të një të punësuari në një nga lokalet e qytetit; ku ndaj veprimeve si në video, distancohem plotësisht” – ishte shprehur ministri teksa kishte cilësuar se përkrahja e Qeverisë për komunitetet jo-shumicë është më e madhe se asnjëherë.

Ai tutje kishte shtuar se është detyrë e institucioneve të largojnë nevojën e kërkim-lëmoshës përmes promovimit të barazisë sociale me theks në mbrojtjen e kategorive më të pambrojtura.