Foto: KALLXO.com

Largimi i rrethojave nga objekti i Komunës së Mitrovicës së Veriut, flet zëvëndësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut

Zëvëndësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani ka mbështetur vendimin e Komunës së Mitrovicës së Veriut për largimin e grilave që kanë rrethuar objektin e komunës.

“Ne jemi këndej. Jemi duke ofruar siguri në veriun e vendit. Nëse ka ndonjë lëvizje jashtë normales, e kemi obligim me reagu”, ka deklaruar Elshani për Kallxo.com.

Ai ka konfirmuar se Policia ka qenë e njoftuar për këtë veprim.

“Po normalisht kemi qenë të njoftuar paraprakisht për largimin e tyre [grilave]”- ka deklaruar Elshani.

Grilat që rrethojnë objektin e Komunës së Mitrovicës së veriut janë larguar sot, më 20.08.2024.

Ekipi i KALLXO.com ka raportuar nga vendi i ngjarjes se në pjesën para objektit të komunës janë larguar rrethojat, ndërsa në pjesën prapa komunës është duke u punuar për largimin e tyre.

Kryetari i kësaj komune, Erden Atiq ka thënë se rrethojat janë larguar me kërkesë të tij pas vlerësimit se situata e sigurisë është përmirësuar.

“Pas vlerësimit profesional se situata e sigurisë në Mitrovicën e Veriut është përmirësuar dukshëm, me kërkesën time sot janë larguar grilat që rrethojnë objektin e Komunës së Mitrovicës së Veriut. Nuk duhet dhe nuk do të ketë barriera mes atyre që ju shërbejnë qytetarëve dhe vetë qytetarëve. Do të vazhdojmë që çdo ditë e më shumë të ju shërbejmë qytetarëve me përkushtim e pa dallim”- ka shkruar ai në Facebook.