Foto: Kallxo.com

Larg familjes: Jeta e studentëve të rinj në Prishtinë (VIDEO)

Të largohesh nga familja nuk është e lehtë për një të ri dhe këtë e dinë më së miri rreth 4 mijë  studentë që çdo vit nisin studimet në Prishtinë.

Konvikti numër pesë është bërë shtëpi e dytë për Isak Selimin nga Kaçaniku.

Selimi është student i Fakultetit te Bujqësisë, dega Agroekonomi. Ai flet për KALLXO.com për jetën tashmë si student dhe ndryshimin që ka ndodhur në jetën e tij kur ka marrë çantën në krah dhe është nisur drejt Prishtinës.

“Qe një javë jam vendosur këtu. Kushtet në konvikt nuk janë keq, po normal jena largu prej familjes dhe është pak më  ndryshe. Besoj që do të ambientohemi së shpejti, tash është java e parë ende s’po kemi shumë shoqëri por besoj që rrethi do të krijohet”, thotë Isak Selimi.

Ai rrëfen edhe për ditën e parë kur kishe ardhur në konvikt.

Foto: Kallxo.com

“Në ditën e parë shumë  jam mërzit po t’kallzoj drejt, sepse u largova prej shtëpisë. Nuk është që s’do të kthehemi më sepse çdo jave shkojmë por ndryshe këtu. Ende s’po mundemi të ambientohemi”, thotë ai.

Edhe Albana Feka nga Skenderaj, studente e vitit të parë në degën e Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Filologjisë, është banore e konviktit.

Albana bën dallimin në mes shtëpisë në vendlindje dhe jetës si konviktore.

“Jeta në konvikt nuk është si në shtëpi sepse kemi më shumë kujdes nga prindërit, nëna më rri gati me gjëra ushqimore, ke më shumë kohë me ia kushtu vetes, për të mësuar. Ndërsa këtu ke më shume obligime. Gjërat që i bën nëna në shtëpi këtu duhet vet”, thotë ajo.

Foto: Kallxo.com