Hallkat elektronike

Lansohet sistemi i hallkave për mbikëqyrje elektronike, Kurti: Pa dyshim do ta reduktojë shumë dhunën në familje

Për personat që do të mbajnë dënimin për dhunë apo janë të dyshuar për një vepër të tillë penale, tashmë do të ketë hallka elektronike përmes së cilave të njëjtit do të jenë në mbikëqyrje të Policisë së Kosovës.

Lansimi i këtyre hallkave është bërë në kuadër të 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës në bazë gjinore.

Projekti për hallkat elektronike është lansuar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës.

Pjesëmarrës në lansim ishin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti; ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu; ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Kurti tha se ky projekt do të mundësojë që dhuna në familje të luftohet suksesshëm si asnjëherë më parë.

“Ka qenë kërkesë e kamotshme që Policia jonë për të pasur parandalime më efikase, hetime më të mira dhe trajtime me gjithëpërfshirëse, të kalojë edhe në këtë fazë të hallkave për monitorim elektronik” – u shpreh shefi i Qeverisë.

Tutje ai tha se në rast se do të ketë situata të tilla, ku brenda një zone të caktuar viktimës i afrohet i dyshuari ose dhunuesi – potencialisht recidivist – menjëherë do të lajmërohen të dy nivelet, ai lokal edhe ai qendror i Policisë.

“Duhet të theksojmë se problemet më të mëdha i kemi për shkak se nuk respektohen urdhrat mbrojtës, pra defekti nuk është thjeshtë mungesa e hallkave për monitorim elektronik, por mosrespektimi i urdhrave mbrojtës, e tash meqenëse ka të tillë që do të vazhdojnë me mosrespektim të urdhrave mbrojtës, ne kemi bërë një hap gjigant në mbikëqyrje të të gjithë këtyre personave të cilët na i kanë mbushur lajmet në këto vitet e fundit me rastet e dhunës në familje dhe kanë tronditur mbarë shoqërinë dhe kanë këputur jeta ose i kanë bërë ato të mjerueshme nëpër familjet e tyre” – u shpreh Kurti.

Ai përgëzoi drejtorin e Policisë, dy ministrat dhe gjithë Policinë e Kosovës për këtë të arritur, e cila sipas Kurtit pa dyshim që do ta reduktojë jashtëzakonisht shumë dhunën në familje.

Në anën tjetër, ministrja Haxhiu tha se nga sot, 10.12.2024, në momentin që do të lëshohet një urdhër mbrojtës nga gjykata, tashmë do të funksionojë sistemi për mbikëqyrjen elektronike.

“Ju e dini që ne në vazhdimësi kemi thënë se do të marrim çdo veprim për të mbrojtur jetën e vajzave dhe grave të Kosovës. Ky është një ndër projektet më të rëndësishme për të mbrojtur jetën dhe dinjitetin e tyre” – tha e para e Ministrisë së Drejtësisë.

Dhuna në familje, sipas saj nuk është çështje private, është përgjegjësi e institucioneve dhe në këtë rast ajo tha se presin veprime serioze sidomos nga Prokuroria dhe Gjykata.

Edhe ministri Sveçla vlerësoi se ky është edhe një sukses i Policisë, por edhe i gjithë sistemit të drejtësisë.

“Ky sistem patjetër që do të shfrytëzohet edhe për raste të tjera në parandalim të veprave të ndryshme penale, por roli primar është do të thotë parandalimi i përsëritjes së dhunës ndaj grave tona” – u shpreh i njëjti.

Ndërsa drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tregoi se ky sistem elektronik ka qenë një obligim për PK-në bazuar në Ligjin për mbikëqyrjen elektronike.

“Qeveria e Kosovës ka ndarë një buxhet të veçantë për këtë projekt edhe ne kemi krijuar një ekip të posaçëm për të negociuar dhe për të hartuar projektin dhe gjatë këtij viti kemi arrit që projektin ta kompletojmë” – tha Hoxha.

Hallkat elektronike do të vendosen në duar apo këmbë të personave të dënuar apo të dyshuar për dhunë.

Hallkat elektronike do të vendosen në mënyrë që Policia e Kosovës t’i mbikëqyrë personat e dënuar apo dyshuar për dhunë dhe të mos t’i lejojë që t’i afrohen viktimës.

Ministrja Haxhiu më 25.07.2024 kishte njoftuar se është nënshkruar kontratë nga Ministria e Punëve të Brendshme për zbatimin e Ligjit për mbikëqyrjen elektronike.

“Hallkat elektronike do të jenë siguri më e madhe për vajzat dhe gratë viktima të dhunës, dhunuesit do të monitorohen e rrjedhimisht nuk do të kenë mundësi t’u afrohen atyre” – kishte shkruar Haxhiu.

Qëllimi i këtij ligji është të rregullojë përdorimin e mbikëqyrjes elektronike në procesin e drejtësisë penale për të ngritur sigurinë publike dhe për të garantuar ekzekutim efektiv të vendimeve të gjykatës, duke i respektuar plotësisht të drejtat e personave të përfshirë.