Foto: Ministria e Pushtetit Lokal

Lansohet programi “Promovimi i qeverisjes së mirë dhe fuqizimi i komuniteteve në nivel lokal”

Programi i përbashkët i BE-së CoE ROMACTED II, Promovimi i qeverisjes së mirë dhe fuqizimi i komuniteteve në nivel lokal, është lansuar sot.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi mori pjesë në lansimin e programit dhe tha se programet e tilla si ROMACTED I, kontribuojnë në ngritjen e kapacitetit të komunave që këta qytetarë të marrin pjesë aktive në mekanizmat vendorë vendimmarrës.

“Në të gjitha vendet demokratike, komuna është institucioni më i rëndësishëm për trajtimin e kërkesave të qytetarëve, me detyrën të përfaqësoj drejtë nevojat dhe pikëpamjet e tyre, pa dallim. Pjesëmarrja e qytetarëve e sidomos të grupeve të cënueshme konsiderohet si një temë komplekse, por kontributi i saj është i rëndësishëm për zhvillim të qëndrueshëm të demokracisë”, ka thënë Krasniqi.

Sipas njoftimit, ministri Krasniqi ka theksuar rolin e MAPL-së në promovimin e qeverisjes së mirë dhe fuqizimit të komuniteteve ashkali, egjiptian dhe rom.

Ai ka përmendur se në secilën iniciativë dhe program të MAPL-së, pjesë e rëndësishme janë edhe komunitetet ashkali, egjiptian dhe rom duke synuar përfshirjen e komuniteteve dhe fuqizimin e tyre.