Coronavirusi - KALLXO

Lansohet platformë informative shtetërore për coronavirusin në Kosovë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se kanë lansuar platformën informative shtetërore “kosova.health” me të dhëna të fundit për gjendjen lidhur me coronavirusin.

“Me qëllim të shtimit të kujdesit ndaj shëndetit tuaj, me përkrahje të njerëzve të vullnetit të mirë të këtij vendi, nga sonte do të jetë në dispozicionin tuaj platforma informative shëndetësore: https://kosova.health”, ka shkruar Vitia në Facëbook.

Sipas ministrit, nga tani qytetarët mund të marrin informatat online lidhur me situatën epidemiologjike me COVID -19 nga profesionistët e shëndetësisë.

Deri më tani në Kosovë janë identifikuar 19 persona të prekur me virusin COVID-19.

Qytetet si Vitia, Malisheva, Podujeva dhe Klina janë në karantinë pasi në këto qytete u identifikuan disa të prekur me virus.

Ndërkaq, tre persona të prekur me coronavirus janë identifikuar në Aeroportin e Prishtinës pasi erdhën nga Londra. Qeveria e Kosovës ditë më parë ka shpallur gjendjen emergjente pas situatës me rrezikun e shpërndarjes së këtij virusi.

Momentalisht në botë numërohen mbi 180 mijë të infektuar me këtë virus, dhe mbi 7 mijë kanë vdekur. Vendet më të prekura në botë nga virusi janë Kina dhe Italia.