Lansohet platforma kërkuese dhe krahasuese e çmimeve

Me iniciativën e dy ndërmarrësve kosovarë dhe me përkrahjen e donatorëve si Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim si dhe ICK, është lansuar platforma ‘Sakushton’, e cila do të krahasojë çmimin e shportës së konsumatorit në supermarketet kryesore dhe do  të bëjë kërkim për produkte në faqet që bëjnë shitje online në Kosovë.

Platforma është në verzionin beta dhe është punuar nga disa programerë kosovarë të cilët do të vazhdojnë ta zhvilojnë platformën që të përfshijë kërkim te një numër i madh i shitësve dhe të përfshijë sa më shumë produkte në shportë.

Sipas një njoftimi, kjo platformë do të analizojë çmimet e konsumit të gjerë, derivatet, bankat dhe teknologjinë. Për këto fusha do të bëhen analiza si dhe do të përkthehen materiale nga bota për ecuritë e këtyre produkteve në tregun ndërkombëtar.

‘Sakushton’ është një startup i dy ndërmarrëve kosovarë: Alban Dedi dhe Virtyt Gacaferri dhe është zhvilluar nga kompania kosovare ‘Frakton’.

Sakushton.com mendoj se do të jetë resursi kryesor për ata që dëshirojnë të kuptojnë çmimin e një produkti para se të vendosin se ku ta blejnë atë. Rrjedhimisht kjo nënkupton që do të rrit edhe konkurrencën mes bizneseve dhe do të sjellë më shumë benefite për konsumatorin. Në mes tjerash platforma do të ketë edhe avancime tjera në të ardhmen për të bërë më shumë analiza të të dhënave, më shumë automatizime e më shumë informata”, tha Çelik Nimani, pronar i kompanisë ‘Frakton’.

Ndërsa Virtyt Gacaferri ka thënë se kjo ide ka hasur në përkrahje të donatorëve të jashtëm.

“Nuk ka ndonjë kohë më të mirë për të lansuar këtë biznes se tash. Shitja online është duke eksploduar në Kosovë dhe ne do të ofrojmë shërbimin e rritjes së konkurencës në mes të shitësve online. Mendojmë se kjo platformë do i ndihmoijë të gjithve përveç atyre që lëshojnë dyqane me qera pasi shumë nga shitjet do të barten nga shitoret në Internet”, ka thënë Gacaferri që është edhe drejtor ekzekutiv i platformës.

“Shitja online do te jetë e mirë për ambientin, për biznesin në Kosovë dhe sidomos për konsumatorin, jo vetëm gjate pandemisë”, ka shtuar ai.