Lansohet platforma e avancuar për zgjedhjet në Kosovë, lehtësohet qasja në të dhënat

Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI) dhe Demokraci Plus (D+), sot kanë bërë lansimin e Platformës së Hartës së Zgjedhjeve në Kosovë – Zgjedhjet e Kosovës të paraqitura vizualisht.

Kjo platformë do t’i lehtësojë publikut një qasje më të lehtë në krahasimin e të dhënave të zgjedhjeve, përpilimin e analizave më të spikatura. Platforma po ashtu përmbledh një grup të të dhënave, përfshirë pjesëmarrjen në zgjedhje, votat e partive politike dhe përqindjen e votave të pavlefshme, për zgjedhjet nacionale, komunale dhe ato për kryetarë komunash.

Platforma mundëson analizën e informatave në nivel të komunave, qendrave të votimit, e deri tek vendvotimet.

Pjesëmarrëse në lansimin e kësaj platformë ka qenë edhe kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, e cia tha se kanë pasur bashkëpunim të mirë me organizatat për avancimin e kësaj plaftorme.

“KQZ i ka kushtuar rëndësi të madhe shoqërisë civile dhe në këtë drejtim jemi munduar që t`i përgjigjemi kërkesave tuaja për këtë punim. KQZ ka një bashkëpunim të mirë me të gjithë akterët në zgjedhej dhe gjatë proceseve zgjedhore sidomos shoqërinë civile”, tha ajo.

Ajo theksoi se kjo platformë do t’i lehtësojë publikut marrjen e informacioneve dhe qasjen në to.

“Ne jemi të hapur edhe në të ardhmen që të japim informacionet që na kërkohen gjithë kohën dhe jemi të hapur për të gjithë”, shtoi Daka,

Ndërsa, Albert Krasniqi, drejtor i programe në D+ tha se rëndësia e kësaj platformë është se të dhënat do të paraqiten në mënyrë vizuale dhe se sipas tij, nga kjo mund të përfitojnë shumë akterë.

“Platforma është e mirë për krahasime dhe platforma është e mirë edhe për vetë partitë politike të kuptojnë se çfarë ka ndodhur në zgjedhjet e e kaluara dhe të përmirësojnë performancën e tyre. Po ashtu do t’i ndihmojë edhe mediave që të bëjn më krahasime dhe analiza si dhe  për studiuesit e fushës së zgjedhjeve”, tha më tej Krasniqi.

Behar Xharra, nga kompania KESHIF që është edhe themelues i kësaj platforme, tha se kanë bërë një punë të madhe, pasi sipas tij, në të kaluarën të dhënat e publikuara kanë qenë në format PDF dhe kanë qenë vështirë të qasshme.

“Ne të kaluarën si publik për zgjedhjet kemi pasur shumë të dhëna në PDF dhe s’kanë qenë shumë lehtë të filtrohen, analizohen dhe transformohen për t’i parë të dhënat në nivel komunale dhe krahasime të tjera. Çka kemi bo na si kompani me mbështetjen e IRI dhe D+, ne i kemi transfmoru këto të dhëna në një strukturë të përbashkët dhe i kemi mundësuar secili person me interes mund t’i analizojë të dhënat për komuna të ndryshme, për qendra të ndryshme dhe vendvotime të ndryshme”, tha Xharra.

Platforma e lansuar është elections.dplus.org.