Prizreni, ilustrim

Lansohet platforma digjitale e Qendrës Historike të Prizrenit

Nga e premtja, Qendra Historike e Prizrenit mund të gjendet në platformën digjitale, e cila bën dokumentimin e të dhënave mbi gjendjen ekzistuese.

Platforma thuhet se do të shërbejë edhe si mjet për transparencë dhe llogaridhënie ndaj publikut.

Organizata “EC Ma Ndryshe” në bashkëpunim me Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore pohojnë që platforma do të shërbejë si dat-bazë e të dhënave ku do të përfshihen strukturat e qendrës si: shtëpitë, monumentet, objektet fetare, urat dhe të tjera pjesë përbërëse të saj.

“Në të janë ngarkuar informata të ndryshme për strukturat ekzistuese në Qendrën Historike, duke filluar prej statusit ligjor, kohës së ndërtimit, etazhitetit, gjendjes fizike, pastaj shfrytëzimit, vlerave që posedojnë ndërtesat dhe harmoninë me kontekstin historik të tyre”-thuhet në shpjegimin e platformës.

Tutje thuhet se  të dhënat janë nxjerrur nga puna hulumtuese e hartuar nga viti 2017, ndërsa hulumtimet në terren kanë vijuar gjatë vitit 2021 deri në vitin 2022.

“Qëllimi i kësaj platforme është dokumentimi si dhe krijimi i një baze  të dhënave mbi gjendjen ekzistuese të qendrës historike dhe njëherësh ofrimi i një mjeti praktik për transparencë dhe llogaridhënie ndaj publikut”- kanë bërë të ditur organizata për KALLXO.com.

Qendra Historike e Prizrenit, sipas legjislacionit në fuqi trajtohet si pronë e trashëgimisë kulturore dhe historike në mbrojtje të përhershme dhe të klasifikuar si zonë e veçantë e mbrojtur me vlera të interesit lokal, shtetëror dhe ndërkombëtar.

Kujtojmë që gjatë vitit 2020 Komuna e Prizrenit ka devijuar projektin e rrugëve të Qendrës Historike duke shtuar rrugën me kubëza të betonit.

Rruga nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore të Prizrenit kishte marrë pëlqimin të shtrohet me kalldrëm dhe jo me kubëza të betonta. Por kjo rrugë ende vazhdon të jetë e shtruar me kubëza të betonit.