Lansohet kampanja “Bashkë kundër COVID-19”

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se ka lansuar fushatën nacionale për informimin dhe ndërgjegjësimin e popullatës për mirëmbajtjen dhe forcimin e zbatimit të masave parandaluese dhe përgatitjen për fushatën e vaksinimit kundër COVID-19.

Zemaj tha se një vit i ballafaqimit me COVID -19, ka shkaktuar shumë vuajtje dhe humbje te të gjithë.

“Por, na ka njohur njëkohësisht edhe me anën më të mirë të karakterit njerëzor, atë të solidaritetit me njëri-tjetrin, për t’u bërë më të organizuar, më të fortë dhe për t’u mos u dorëzuar asnjëherë, pavarësisht peshës dhe barrës së rëndë shëndetësore, ekonomike e sociale që ka shkaktuar COVID-19”, ka thënë Zemaj.

Në lansimin e kësaj fushate mori pjesë edhe zëvendës-ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Jacob Webber, i cili tha se kjo kampanjë vjen në kohën e duhur.
“Respektimi i masave mbrojtëse ka çaluar, në veçanti pas kampanjës zgjedhore, ku fatkeqësisht kemi parë grumbullim të qytetarëve pa maska dhe pa distancë. Tani, fatkeqësisht jemi duke parë një rritje të rasteve pozitive të COVID-19. Ne mendojmë se tani është koha për t’i shtrënguar masat dhe presim nga qytetarët një përgjegjshmëri më të madhe në respektimin e këtyre masave”, tha Jacob Webber.

Ndërsa, koordinatorja për Zhvillim e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson, tha se ndodhemi në fazë kritike të ballafaqimit me Covid-19, duke shtuar se shpreson që shumë shpejt vaksina të vijë në Kosovë.

“Asnjëherë nuk kemi qenë të përgatitur për këtë virus, sepse ka sjellë tragjedi edhe në botë. Është përgjegjësi e jona të trajtojmë këto brishtësi. Covid ka sjellë vështirësi te të gjithë ne dhe familjet tona…Ne jemi në një fazë kritike të Covid-it andaj shpresojmë që vaksina do të arrijë shpejt”, tha Richardson duke shtuar se nuk është koha për relaksim, sepse është e rëndësishme mos të rritet shpërndarja e virusit.

Në lansimin e fushatës, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, ka treguar se ajo ka për qëllim që të rrisë dhe forcojë më tutje vetëdijesimin e qytetarëve të Kosovës për pandeminë COVID-19 dhe zbatimin e masave të domosdoshme parandaluese dhe të mbrojtjes personale e institucionale, të cilat ruajnë shëndetin publik dhe shpëtojnë jetë.

Ndërsa sipas kryeshefit ekzekutiv të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, komunat do të bashkëpunojnë me pushtetin qendror dhe qytetarët për të zbatuar masat kundër COVID-19 në betejën e përbashkët kundër pandemisë.

Në këtë ceremoni, Visare Mujko-Nimani, udhëheqëse e zyrës së Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë tha se fushata ka për qëllim që të përkrahë institucionet shëndetësore në nivel qendror dhe lokal në përballimin e sfidave të shumta lidhur me pandeminë dhe bashkëjetesën me virusin në një normalitet të ri, duke i respektuar në përpikëri masat parandaluese, si dhe përgatitjen për vaksinimin e popullatës, sapo që vaksina të jetë në dispozicion.

“Këto qëllime fushata do t’i arrijë përmes ofrimit të informatave dhe këshillave të mbështetura në dëshmi shkencore, edukimit dhe promovimit shëndetësorë për të gjithë qytetarët e vendit tonë, pa dallim”, tha ajo.

Fushata “Bashkë kundër COVID-19” financohet nga Mbretëria e Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë, implementohet nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara (UNFPA) në koordinim me ekipin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT), Ministrinë e Shëndetësisë (MSH), Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK).