Foto: KALLXO.com

Lansohet fushata “Bëje tënden, regjistroje pronën!”

E implementuar nga organizata ATRC dhe e mbështetur nga Banka Botërore dhe SPF, të mërkurën, më 16.10.2024, është lansuar fushata  “Bëje tënden, regjistroje pronën!”.

Kjo fushatë synon të nxisë ndërgjegjësimin e qytetarëve të Kosovës për të drejtat pronësore dhe të sigurojë që çdo qytetar, veçanërisht gratë, të rinjtë dhe komunitetet joshumicë, të kenë qasje të barabartë në regjistrimin e pronës.

Në prezantimin e kësaj fushate, drejtori i ATRC-së, Kushtrim Kaloshi, foli për aktivitetet që do të zhvillohen gjatë realizimit të fushatës.

“Jemi duke zhvilluar një seri aktivitetesh për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve për regjistrimin e pronës. Kjo fushatë përfshin fushata mediatike në televizione, radio dhe media sociale si dhe aktivitete derë me derë” – theksoi Kaloshi.

Ky projekt mbështetet nga Banka Botërore, e ATRC ka nënshkruar memorandume bashkëpunimi edhe me Agjencinë Kadastrale të Kosovës (AKK) dhe Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas.

Ndërsa, Avni Ahmeti nga AKK foli për regjistrimin e informacioneve për zonat kadastrale, përfshirë këtu 32 komuna të Kosovës dhe 115 zona kadastrale.

“Së bashku me ATRC-në kemi një memorandum bashkëpunimi, i kemi të ndara dy fusha kryesore. Fusha e parë ka të bëje më regjistrimin e informacioneve për zonat kadastrale, ku janë të përfshirë 32 komuna dhe 115 zona kadastrale dhe të pjesa e adresave, jemi në fazën e kompletimit të sistemit të adresave” – ka thënë Ahmeti.

Ndërkaq, Faton Jashari nga Agjencia për Ndihmë Juridike Falas ka treguar për shërbimet që do mund t’i marrin qytetarët gjatë procesit të regjistrimit të pronës gjatë kësaj fushate.

“Në këtë projekt janë paraparë ndihma ligjore, duke filluar nga këshillat juridike, përpilimi i shkresave dhe përfaqësimi i lidhur më çështjet e pronës” – tha ai.

Odeta Nask, menaxhere e projektit PIAKOS (ATRC) gjatë prezantimit të kësaj fushate foli lidhur më qëllimin dhe mënyrën së si do realizohet ajo, duke potencuar së target i kësaj fushate janë gratë, të rinjtë dhe grupet e margjinalizuara.

“Targetet e audiencës të këtij projekti janë gratë, të rinjtë dhe grupet e margjinalizuara si dhe komunitetet joshumicë” – ka deklaruar Odeta Nask.

Gjithashtu në lansimin e kësaj fushate u organizua edhe një panel diskutimi lidhur me rolin e mediave në fuqizimin e grave, të rinjve dhe komuniteteve për të drejtën pronësore.

Pjesë të këtij paneli ishin anëtarë të organizatave që kanë bashkëpunuar në realizimin e kësaj fushate si organizata BIRN, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe YMCA Kosovë e ACDC.