Alma Lama, ambasadore e Kosovës në Itali - Foto: Facebook

Lama: Nëse Kosova nuk do ta votonte Gjykatën Speciale, do t’a themelonte OKB-ja

Anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ish ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama përmes një postimi në facebook ka reaguar në lidhje debatin e fundit rreth formimit të Gjykatës Speciale.

“Debati mbi Gjykatën Speciale është manipulativ. Kjo gjykatë ka ardhur si pasojë e dështimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë, qoftë në kohën e UNMK-ut, qoftë EULEX-it dhe gjykatave të Kosovës për t’u marrë me krimet e luftës dhe pasluftës”, ka shkruar Lama.

Sipas saj, nuk duhet të krahasohen krimet e kryera nga Serbia në Kosovë me krime të tjera për të cilat janë ngritur aktakuzat nga Specialja, por kjo nuk do të thotë se krimet e tjera nuk duhen adresuar.

“Sigurisht Gjykata Speciale, si pjesë e institucioneve të Kosovës, nuk do të vendosej në një shtet tjetër sikur në Kosovë të ekzistonte siguria për dëshmitarët. Ky shqetësim është ngritur në të gjitha raportet për Kosovën”, ka shkruar Lama.

Në postimin e saj, Lama ka thënë se Gjykata Speciale është votuar sepse bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar adresimin e krimeve dhe Kosova, si vend që është çliruar nga bashkësia ndërkombëtare në emër të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, ndaljes së krimeve dhe gjenocidit (ndërhyrje ushtarake humanitare) nuk mund t’i shmanget drejtësisë dhe domosdoshmërisht duhet të pastrohet nga aktakuzat.

“Nëse Kosova nuk do ta kishte votuar, sot do të kishim një Gjykatë Speciale të themeluar nga OKB-ja me prokurorë e gjyqtarë rusë e kinezë, kushedi në cilin shtet. Prandaj nuk është e ndershme të bëhet politikë me këtë temë”, ka shkruar Lama.