Lajmërohet djali që dyshohej se rrëmbeu një vajzë në Pejë

Një rast i rrëmbimit ishte hapur mbrëmë në stacionin policor të Pejës.

Por, gjatë ditës së sotme, djali i cili nga Policia dyshohej se kishte rrëmbyer një 18 vjeçare është lajmëruar ndërsa gjatë intervistimit kishte thënë se vajzën e kishte marrë me dëshirë.

KALLXO.com ka kontaktuar me zëdhënësin e Policisë së Rajonit të Pejës, Fadil Gashi. I njëjti ka thënë se djali është paraqitur në stacionin e Policisë në Mitrovicë ndërsa për shkak se rasti ishte hapur në Pejë ishte intervistuar në po këtë stacion.

“Fillimisht rasti ishte hapur në stacionin policor në Pejë. Ka qenë një dëshmitare e cila kishte raportuar se vajza ishte rrëmbyer pa dëshirë nga një djalë dhe ishin larguar në drejtim të panjohur. Gjatë ditës së sotme djali që dyshohej se ka rrëmbyer 18 vjeçaren gjatë intervistimit ka treguar se e gjitha ka qenë me dëshirë. Kjo pasi që të njëjtit kanë qenë bashkëshortë. Pas intervistimit edhe babai të cilit i ishte shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë por edhe djali janë liruar për shkak se pas intervistimit kemi konsideruar se nuk ka elemente të veprës penale”, tha Gashi për KALLXO.com.

Por, si kishte ndodhur e gjithë ngjarja?

Mbrëmë rreth orës 19:00, ankuesja kishte raportuar në Polici se deri sa ishin duke dalë nga një market ushqimor një djalë kishte rrëmbyer një vajzë dhe ishin larguar në drejtim të panjohur.

Me të marrë informacionin, Policia kishte hapur rast dhe kishte arrestuar babanë e djalit i cili dyshohej se kishte ndihmuar djalin të kryente veprën penale.

I njëjti ishte ndaluar nga ana e Prokurorisë për 48 orë për shkak të veprës penale ndihmë në kryerjen e veprës penale të rrëmbimit.

Policia e Pejës gjatë ditës së sotme i ka thënë KALLXO.com se djali, në këtë rast i dyshuari kryesor, nuk ishte gjetur dhe ishte duke u kërkuar.

Sot i njëjti ishte lajmëruar vetë në Polici duke shpjeguar ngjarjen e ndodhur. Djali dhe vajza, e cila sipas Policisë dyshohej se ishte rrëmbyer, janë intervistuar dhe kanë treguar se të njëjtit kanë bashkëjetuar më parë ndërsa kishin shtuar se rasti nuk ka qenë rrëmbim.

Për këtë arsye, siç njofton për KALLXO.com zëdhënësi Gashi, babai, djali dhe vajza të përfshirë në këtë rast janë liruar.