Lajm i mirë: Shërohet i infektuari i parë me COVID-19 nga Malisheva

Sipas të dhënave të konfirmuara në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, një pacient nga komuna e Malishevës, që ishte prekur me COVID-19, është shëruar plotësisht, pasi edhe analiza e dytë ka dalë negative, ka njoftuar Komuna e Malishevës.

Sipas komunikatës, bëhet fjalë për të prekurin e parë nga komuna e Malishevës.

Konfirmimin e këtij lajmi e kanë bërë zyrtarët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në një komunikim përmes telefonit me nënkryetarin e Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha.

Me këtë rast, nënkryetari Berisha ka thënë se “është lajm shumë i mirë dhe shumë shpresues, pasi tashmë kanë filluar të shërohen edhe pacientët e parë në vend, përfshi edhe Malishevën, dhe urojmë që të gjithë të prekurit të shërohen sa më shpejt, e vendit ti kthehet normaliteti”, thuhet në njoftimin e Komunës së Malishevës.

Po ashtu, nënkryetari Berisha u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë t’i respektojnë këshillat e institucioneve shëndetësore, për distancë sociale, për qëndrim në shtëpi, për mos lëvizje pa arsye edhe gjatë kohës kur nuk ka kufizim të lëvizjes, në mënyrë që ta ruajmë veten, familjen dhe vendin, pasi kjo është arma më e suksesshme e luftimit të coronavirusit.