Lajçak dhe Vuçiq Foto: Twitter

Lajçak tregon detaje nga takimi me presidentin serb Vuçiq

Përfaqësuesi Special i Bashkimi Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, ka takuar sot presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Lajçak ka thënë se me presidentin serb ka biseduar për takimin e radhës të nivelit të lartë.

“Sot në Beograd pata një diskutim me presidentin Aleksandar Vuçiq, për çështjet aktualisht në agjendë dhe për rrugën para në dialog, përfshirë takimin e radhës të nivelit të lartë”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Ndonëse Lajçak ka takuar presidentin e Serbisë, në Beograd, nesër është afati i fundit për për arritjen e një marrëveshjeje me Serbisë dhe Kosovës për targat e veturave.

Grupet e negociuesve janë takuar disa herë në Bruksel gjatë këtyre gjashtë muajve që nga arritja e një marrëveshjeje të përkohshme por duket që nuk kanë bërë shumë progres.

Në fund të shtatorit 2021, për të ndaluar bllokadën 13 ditore në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, të organizuar nga qytetarët serbë të veriut të Kosovës dhe të mbështetur nga Beogradi, u arrit një marrëveshje e përkohshme. Në bazë të kësaj marrëveshjeje simbolet shtetërore të të dy shteteve janë mbuluar në targat e veturave që nga 4 tetori 2021.