Miroslav Lajcak - Foto: Fatrion Ibrahimi/KALLXO.com

Lajçak: T'i kthehemi normalizimit, nuk ka kohë për të humbur

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se është momentumi që Kosova dhe Serbia t’i kthehen normalizimit të raporteve.

Lajçak pas takimit me kryeministrin Albin Kurti ka thënë se pas një kohë të gjatë ka ardhur në Kosovë jo për të zgjidhur kriza por për të diskutuar hapat e mëtutjeshëm.

“Jam këtu për të kthyer diskutimin në çështjen e normalizimit dhe për t’i diskutuar hapat e tjerë në proces, i cili është bazuar në letrën që e kam prezantuar më 9 shtator. Ne po punojmë në drejtim të takimit të radhës të nivelit të lartë, i cili do ta adresojë normalizimin dhe ne duam që ky takim të zhvillohet brenda javëve, unë mund të vij së shpejti që të sigurohem se përgatitjet po shkojnë mirë, nuk duhet humbur kohë” – tha Lajçak.

Lajçak tregoi edhe temat që ka diskutuar me kreun e ekzekutivit, duke theksuar se marrëveshja për të pagjeturit është pothuajse gati.

“Kam diskutuar çështje aktuale, në veçanti situata në veri pas tërheqjes së serbe nga institucionet si dhe organizimi i zgjedhjeve, kam dashur të dëgjoj sesi po shkojnë përgatitjet, kemi diskutuar edhe për udhërrëfyesin e energjisë, ne shkëmbyem pikëpamjet tona sesi të implementohet dhe diskutuam për të pagjeturit, e cila është temë që e diskutojmë shumë, për të cilën jemi shumë afër që të kemi një tekst dhe jemi larg një fjali nga ai, dhe shpresojmë që do t’i mbyllim shumë shpejtë këto diskutime” – ka theksuar ai.

Lajçak dje ka qëndruar në Serbi, ku është takuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq me të cilin ka diskutuar për situatën në veri, udhërrëfyesin për energjinë dhe të pagjeturit.