Lajçak thotë se vizat për Kosovën duhet të hiqen

Emisari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka thënë se duhet të bëhet liberalizimi i vizave për Kosovën.

Në një konferencë për media në fund të vizitës së tij në Kosovë, ai ka thënë se Kosova e meriton heqjen e vizave dhe se një gjë e tillë do të ndodhë.

“Mendoj si ju, vërtet besoj se vizat do të duhet t’i hiqen Kosovës. Komisioni Evropian ka qenë i qartë. Fatkeqësisht akoma nuk ka pasur marrëveshje konsensuale mes shteteve anëtare për këtë dhe unë përdor çdo mundësi të mundshme në takimet e mia me shtetet anëtare që ta theksoj këtë gjë”, tha ai.

Lajçak foli edhe për lidhshmërinë e çështjes së vizave me dialogun Kosovë-Serbi.

“Kosova meriton liberalizim të vizave dhe duhet të marrë atë. Për mua pyetja është kur, jo nëse do të bëhet. Në ndërkohë i kam propozuar partnerëve të mi që të vazhdojnë të punojnë shumë që të përmbushen të gjitha kriteret teknike dhe natyrisht pres që një angazhim serioz në dialog do të ndihmojë që ky vendim të merret më herët sesa më vonë”, tha zyrtari evropian.

Kosova është i vetmi shtet në rajon që nuk e gëzon liberalizimin e vizave, ndonëse një gjë e tillë është premtuar ndër vite nga zyrtarët evropianë dhe politikanët vendorë.