Miroslav Lajçak, Foto: Arjana Berisha, 06.09.2024
Lajçak thotë se Serbia ka tërhequr letrën e Bërnabiqit për Marrëveshjen e Ohrit
I dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, sot më 06.09.2024, tha se Serbia ka tërhequr letrën dërguar bllokut vitin e kaluar, në të cilën thoshte se ka vija të kuqe kur është fjala për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën.
Lajçak ka thënë se marrëveshja e tillë është valide në tërësinë e saj.
“Letra është tërhequr dhe ka pasur deklarata këtu e atje, të cilat nuk ndihmojnë, por marrëveshja e tillë është valide në tërësinë e saj dhe për më tepër marrëveshja është bërë pjesë e rrugës së Kosovës për BE-në dhe e shtegut të Serbisë për BE, andaj mund të them se është dyfish e vlefshme. Pra, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe ndërmjet Kosovës dhe BE-së, dhe ndërmjet Serbisë dhe BE-së”- ka thënë ai.
Kryeminsitrja e atëhershme e Serbisë, Ana Bërnabiq, dhjetorin e vitit 2023 i dërgoi BE-së letër, përmes së cilës, Serbia shprehu rezerva për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve, të arritur në Bruksel, dhe Aneksin për zbatim, të arritur në Ohër.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në qershor 2024, ka deklaruar se takimi trepalësh në Bruksel nuk ka ndodhur pasi ekzekutivi kosovar ka kërkuar që të plotësohen tri kushtet nga ai të vëna ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Njëra nga këto kërkesa ishte tërheqja e letrës së Bërnabiqit.
“Garancia e dytë është tërheqja e letrës së Bërnabiq sepse aty thotë që nuk pranohet pavarësia e Kosovës, ulësja në OKB dhe integriteti territorial. Cili është kuptimi që të zbatosh marrëveshje apo të përpiqesh të normalizosh marrëdhëniet kur të thonë se do të respektohen. Kurse garancia e tretë që kam kërkuar është dorëzimi i kryekriminelit Milan radoiçiqit dhe i bandës së tij terroriste autoriteteve të Kosovës. Ne nuk mund ta ngjallim rreshterin e vrarë Afrim Bunjakun, por Serbia duhet të na dorëzojë Milan Radoiçiqin”- shtoi Kurti.
Më 06.09.2024, i dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak pas takimit me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, ka njoftuar se janë marrë vesh për një takim në kuadër të dialogut mes kryenegociatorëve.
Por, Lajçak nuk e ka bërë të ditur datën e takimit.
Ndërsa ka thënë se marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e detyrueshme, asnjë palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje.
“Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e detyrueshme, asnjë palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje. Po punojmë me Kosovën dhe Serbinë që procesi të përshpejtohet. Ajo është pjesë e negociatave të Kosovës me BE-në dhe të Serbisë me BE-në, pra i shtohet i rëndësia”- ka thënë Lajçak.