Miroslav Lajçak

Lajçak thotë se nuk e di nëse do të marrë pjesë në takimin e 27 qershorit në ShBA

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka deklaruar se nuk e di nëse do të marrë pjesë në takimin e 27 qershorit mes  Kosovës dhe Serbisë në ShBA.

Lajçak po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.

“Deri sot, nuk e di [nëse marr pjesë në takimin në ShBA]”, ka thënë ai kur është pyetur nga gazetarët sot në Prishtinë.

Pas takimit me presidentin Hashim Thaçi, ai ka thënë se presin bashkëpunim të afërt me ShBA-në sa i përket procesit të negociatave.

Lajçak shtoi se gjithçka që është arritur në dialog është rezultat i punës së përbashkët dhe të ngushtë mes BE-së dhe ShBA-së.

Presidenti Hashim Thaçi takohet me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak

Presidenti Hashim Thaçi takohet me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak

Publiée par Kallxo.com sur Mardi 16 juin 2020

“Kjo është pikërisht ambicia që të vazhdojmë në të njëjtën mënyrë dhe presim bashkëpunim shumë të ngushtë me ShBA-në”, ka thënë ai.

I dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka thënë se më 27 qershor do të ketë takim në Shtëpinë e Bardhë për bisedime rreth dialogut.

Grenell përmes një postimi në Twitter ka thënë se ka marrë premtimin e Serbisë së do të ndalet fushata e çnjohjes.

“Lajm i madh. Kam marrë zotimin nga qeveritë e Kosovës dhe Serbisë që përkohësisht ta pauzojnë fushatën e mosnjohjes dhe kërkesën për anëtarësim ndërkombëtar në mënyrë që të takohen në Washington, në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor për të biseduar rreth dialogut”, ka shkruar ai.