I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak

Lajçak thotë se masat duhen hequr, por nuk tregon çfarë ka shkruar Borrelli në raport

Qëndrimi i të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak lidhur me masat kufizuese të vendosura ndaj Kosovës është se ato është dashur të largohen si shenjë solidariteti pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24.09.2023.

Kështu deklaroi Lajçak në Prishtinë më 18.06.2024, pasi që u pyet lidhur me raportin e kryediplomatit të Bashkimit Europian, Josep Borrell, i cili vlerëson nëse duhet hequr këto masa apo jo.

Lajçak tha se e di se çfarë thuhet në raport, por nuk duhet të tregojë, meqenëse raporti do të diskutohet nga shtetet anëtare të BE-së nesër, më 19.06.2024.

“E di çfarë ka në raport, por nuk jam i supozuar ta them sepse do të prezantohet te shtetet anëtare nesër, kështu që do ta merrni vesh se për çka ka qenë diskutimi” – tha Lajçak, duke shtuar se heqja e masave varet nga diskutimi i nesërm (19.06.2024).

Heqja e masave, ai tha se nuk është në dorë të tij, por tha se qëndrimin e tij e ka përsëritur disa herë të shtetet anëtare.

“E kam bërë të qartë dhe publik qëndrimin tim për masat në shtator, kur më është rekomanduar që masat duhet të largohen pas Banjskës si gjest solidariteti nga Bashkimi Evropian. E kam përsëritur këtë te shtetet anëtare disa herë. Por, siç thashë nuk jam pjesë e këtij procesi. Kjo vendoset nga shtetet anëtare, por qëndrimi im personal ka qenë që masat është dashur të largohen si gjest solidariteti” – tha ai pas takimit që pati me zëvendëskryeministrin e parë dhe kryenegociatorin kosovar, Besnik Bislimin.

Ai u pyet edhe se pse BE-ja nuk ka vendosur sanksione ndaj Serbisë pas sulmi në Banjskë, por Lajçak tha se kjo pyetje duhet t’i bëhet shteteve anëtare të BE-së, sepse ato vendosin lidhur me këtë. Por ai tha se BE-ja është shumë serioze për të kërkuar llogari nga njerëzit përgjegjës.

Lajçak po ashtu tregoi se në takim u diskutuan hapat konkretë që duhet të ndërmerren për të kthyer fokusin te normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe për të zbatuar marrëveshjen mes dy vendeve.

Për këtë qëllim, ai tregoi se nesër do të jetë në Beograd për të zhvilluar takime edhe atje.

Raporti i Borrellit lidhur me masat ndaj Kosovës është dorëzuar sot të vendet anëtare të BE-së.

Këto masa janë vendosur që një vit për shkak të tensionimit të situatës në veri të vendit në maj dhe qershor të vitit 2023.

Atëbotë, BE-ja pati thënë se Kosova nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionim të situatës.