Takimi Miroslav Lajcak dhe Aleksandar Vuciq, Foto: X

Lajçak takohet me Vuçiq diskutojnë për normalizimin e raporteve Kosovë- Serbi

Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka njoftuar se ka takuar Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuqiq me të cilin kanë diskutuar në lidhje me pritjet dhe hapat e ardhshëm në dialog.

“Ne diskutuam gjithashtu Planin e Rritjes dhe nevojën urgjente që Kosova dhe Serbia të bëjnë përparim në normalizim”- ka shkruar Lajçak në rrjetin “X”.

Tutje ai shtoi edhe se kjo është një cështje thelbësore për avancim drejtë integrimit.

Takimi mes Lajçak dhe Vuçiq u bë në ditën e dytë në Pragë, ku po zhvillon punimet forumi i sigurisë, GLOBSEC.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kërkoi nga Bashkimi Evropian një reagim “konkret dhe të qartë” për, siç tha, mbrojtjen e serbëve në Kosovë.

Një ditë më herët, institucionet e Kosovës njoftuan se kanë mbyllur pesë institucione paralele serbe në veri të vendit.

Sipas Qeverisë së Kosovës, këto institucione kanë funksionuar nën udhëheqjen e Serbisë.

Edhe pse nuk kishte dhunë, ky veprim nxiti reagimin e BE-së, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe Francës.

Sipas tyre, ai është bërë pa konsultime me partnerët perëndimorë dhe rrezikon t’i rrisë tensionet.

Përndryshe, aksioni në veri u ndërmor në kohën kur Qeveria e Kosovës po përballet me kritika të vazhdueshme nga bashkësia ndërkombëtare, për shkak të, siç thuhet, veprimeve “të njëanshme dhe të pakoordinuara”.