Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Lajçak s’ka takim me Osmanin dhe Kurtin

I dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak po qëndron sot më 06.09.2024 në Kosovë.

Përveç takimit që ka zhvilluar në mëngjesin e sotëm me zëvendëskryeministrin Bisnik Bislimi, ai nuk pritet të takohet me krerët e shtetit, presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

KALLXO.com merr vesh që nuk ka qenë e paraparë të ketë takim me kryeministrin Kurti, gjatë kësaj vizite të Lajçakut në Kosovë.

Po ashtu, KALLXO.com mëson se as presidentja Osmani nuk ka në agjendë takim me emisarin europian.

Pas takimit me Bislimin, Lajçak u deklarua për media dhe njoftoi se janë koordinuar për një takim në kuadër të dialogut mes kryenegociatorëve.

Por, Lajçak nuk e ka bërë të ditur datën e takimit.

“Jemi marrë vesh për një datë për takim, por nuk dua ta bëj të ditur”- u shpreh ai.

Ndërsa ka thënë se marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e detyrueshme, asnjë palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje.

“Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e detyrueshme, asnjë palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje. Po punojmë me Kosovën dhe Serbinë që procesi të përshpejtohet. Ajo është pjesë e negociatave të Kosovës me BE-në dhe të Serbisë me BE-në, pra i shtohet i rëndësia”- ka thënë Lajçak.

Ai tutje ka thënë se fokus i takimit të sotëm ka qenë përgatitja e një rundi të ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve.

Lajçak pas takimit me Bislimin: Jemi marrë vesh për një datë për takim