Lajçak: S'ka alternativë tjetër për Ballkanin Perëndimor përveç integrimit në BE

I dërguari i Bashkimit Evorpian për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, pas një takimi të mbajtur sot në Londër tha se integrimi në BE është alternativa e vetme për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Këtë ai e tha përmes një postimi në Twitter, ku njoftoi për takimin e sotëm mes Mbretërisë së Bashkuar, Bashkimit Evropian, ShBA-së dhe përfaqësuesve të Ballkanit Perëndimor.

Kosova u përfaqësua nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

“Takim shumë i dobishëm mes Mbretërisë së Bashkuar, Bashkimit Evropian, ShBA-së + Ballkani Perëndimor në Londër sot. Nuk ka alternativë tjetër pos integrimit në BE për rajonin. Shumë mirë që kjo çështje u theksua nga të gjithë pjesëmarrësit”, tha Lajçak më tej.

Nga shtetet e Ballkanit, Mali i Zi dhe Serbia kanë avancuar më së shumti në rrugën drejt BE-së, ndërkaq, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ende nuk kanë hapur negociatat për anëtarësim, pasi Bullgaria ka vendosur veto, për shkak të mosmarrëveshjeve që ka me Shkupin zyrtar sa i përket identitetit, historisë dhe gjuhës maqedonase.

Kosova dhe Bosnje e Hercegovina kanë vetëm marrëveshje stabilizim asociimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok.