Lajçak: Po punohet për takimin e radhës Kurti-Vuçiq

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor Miroslav Lajçak, me përfundimin e vizitës tre ditore në Kosovë ka realizuar konferencë për media duke thënë se janë duke punuar për një takim të nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq para pushimeve verore në Bruksel.

“Jemi duke punuar t’i takojmë të dy udhëheqësit kryeministrin Kurti e presidentin Vuçiq. Do të dëshiroja që kjo të ndodh para pushimeve verore në Bruksel po jemi duke punuar që të krijojmë mundësitë për këtë”, tha ai.

Lajçak tha se janë duke i diskutuar disa dokumente të rëndësishme njëri për personat e zhdukur ndërsa një dokument për bashkëpunimin rajonal.

Lajçak ka përmendur edhe takimin me udhëheqësit e partive politike kryesore shqiptare LDK, PDK dhe AAK. Sipas Lajçak uniteti politik është i rëndësishëm.

“Çka kam vlerësuar është se në tre takimet kam dëgjuar deklarata për mbështetje të dialogut dhe mbështetje të angazhimeve të qeverisës në këtë dialog”, theksoi Lajcak.

Lajcak ka bërë me dije, se pas konferencës do të shkoj në veri të Kosovës për herë të parë dhe më pas do të vazhdojë për në Beograd.

“Do t’i vizitoj pikë kalimet e përbashkëta, do ti vizitoj gjërat të cilat janë pjesë e agjendës së dialogut po më duhet t’i shoh, t’i preki. Do të takohem edhe me kryetarët e komunave atje të Listës Serbe dhe do të vazhdoj për në Beograd për pjesën e dytë të vizitës time në rajon. Nesër do t’i kem takimet politike në serbi Beograd”, tha ai.

Gjatë kësaj konference Lajçak ka përmendur edhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Lajçak, ka theksuar se çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është zotim të cilin e ka pranuar Kosova dhe se për këtë duhet që ajo të zbatohet. Sipas Lajçak, Asociacioni nuk është kërkesë e Brukselit, por diçka që janë pajtuar palët.

Dy ditë më parë, Lajçak ka zhvilluar takim me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

https://kallxo.com/lajm/lajcak-ne-kosove-nis-takimin-me-kurtin/

Ndërkaq gjatë ditës së djeshme, ka zhvilluar takim me tri subjektet parlamentare PDK, LDK dhe AAK.