Miroslav Lajcak - Foto: Fatrion Ibrahimi

Lajçak: Plani i prezantuar për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi përmban 11 pika, nuk bëjmë kërcënime

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirloslav Lajçak,  ka thënë se plani që ka prezantuar për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë përmban 11 pika.

Ai në Klan Kosova theksoi se plani për herë të parë u prezantua në shtator, dhe pas diskutimeve me dy vendet është prezantuar edhe një herë në dhjetor.

“Mënyra më e mirë për ta quajtur këtë plan është propozim për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Unë planin për herë të parë e kam prezantuar në shtator dhe pas diskutimeve në dhjetor i kam prezantuar Kurtit dhe Vuçiqit një version të azhurnuar. Deri tani në këtë plan janë 11 pika. Kam parë disa tekste të prezantuara në media që nuk ishin të sakta. Ka pasur ndryshime nga komentet e para, por filozofia nuk ndryshon, qëllimi është të arritja e normalizimit”- ka thënë Lajçak.

Ai shtoi se rezultati i dëshiruar është që dy palët të nënshkruajnë planin, duke potencuar se verzioni që po qarkullon në media nuk është i njëjti me atë të prezantuar qeverive.

“Javën e kaluar patëm diskutimin e parë substancial lidhur me planin, takimi zgjati 2 orë e gjysmë. Diskutimet kanë qenë të ndara me Qeverinë e Kosovës dhe atë të Serbisë. Rezultati i dëshiruar është që palët të nëshkruajnë në fund pas diskutimeve”- shtoi ai.

I dërguari i BE-së tha se ky plan i jep shumë Kosovës sa i përket statusit.

“Në nuk kërcënojmë palët sa i përket këtij procesi i cili është ende në zhvillim. Mendoj se Serbia e ka bërë të qartë pozitën e vet lidhur me procesin. Propozimi i jep shumë statusit të Kosovës, do zhbllokohet bashkëpunimi rajonal dhe është maksimumi i arritshëm në këtë moment”-shtoi Laçak.

Ai theksoi se ka takuar përfaqësues të 4 nga 5 vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovë:  Spanjë, Sllovaki, Qipro dhe Greqi dhe se këto vende po përcjellin procesin shumë afër.