Lajçak për situatën në veri: Do të punojmë intensivisht për të dalë nga kriza

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se ai dhe ekipi i tij do të punojnë intensivisht për të dalë nga kriza në veri të Kosovës.

“Në ditët në vijim unë dhe ekipi im do të vazhdojmë të punojmë intensivisht me palët dhe partnerët tanë për të gjetur një rrugëdalje nga kjo krizë”- ka shkruar Lajçak.

Ai ka thënë se pjesëmarrja e tij në konferencën në Bratisllavë “u la në hije nga ngjarjet dramatike në veri të Kosovës”.

“Sapo u ktheva në Bruksel nga Bratisllava pasi mora pjesë në konferencën vjetore GLOBSEC. Pjesëmarrja ime këtë vit u la në hije nga ngjarjet dramatike në veri të Kosovës dhe dhuna që rezultoi me lëndime të disa trupave të KFOR-it të NATO-s, qytetarëve, mediave dhe zyrtarëve të zbatimit të ligjit”- ka thënë Lajçak.

Tutje, Lajçak ka komentuar edhe takimin me kryeministrin Albin Kurti, ku ka kërkuar “shtensionimin e menjëhershëm, rikthimin e qetësisë dhe kthimin në përpjekjet për normalizim, nën dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

Po ashtu Lajçak ka bërë të ditur se ka pasur takime edhe me zyrtarë të NATO-s.

Teksa ka përshkruar ditët e fundit, ai ka përmendur takimin me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit në rajon dhe përparimin e vendit në rrugën e tij drejt BE-së.

Lajçak është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Forumin e Bratisllavës GLOBSEC 2023 në Sllovaki.

Që nga 26 maji në komunat me shumicë serbe të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit janë shkaktuar tensione pasi Policia e Kosovës u ndihmoi kryetarëve shqiptarë të këtyre  komunave që të futen në zyrat e tyre komunale, më 26 maj.

Përfaqësuesi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dy ditë më parë ka deklaruar se ka kërkuar nga të dyja palët që urgjentisht të marrin masa për të ulur tensionet menjëherë dhe pa kushte.

Zhvillimet në veri – Vazhdojnë protestat