Lajçak pas vizitave në Kosovë e Serbi: Do t'i vazhdojmë bisedimet tona së shpejti

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimeve të sotme me krerët e Kosovës dhe Serbisë ka thënë se ka në plan që së shpejti t’i vazhdojnë bisedimet.

“Së bashku me këshilltarët kryesorë të politikës së jashtme të Francës, Gjermanisë e Italisë dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin Amerikan, Escobar, udhëtova sot në Kosovë dhe Serbi për të diskutuar hapat drejt normalizimit të marrëdhënieve të tyre bazuar në propozimin tonë. Kjo gjithashtu nënkupton zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve. Kam në plan që të vazhdojmë bisedimet tona së shpejti” – ka shkruar Lajçak në rrjetin social “Twitter”.

Kryeministri Albin Kurti pas takimit më shumë se dy orësh më emisarët ndërkombëtarë ka njoftuar se është diskutuar për propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, duke thënë se ky propozim është bazë e mirë për normalizimin marrëdhënieve, por me njohje reciproke në qendër. 

Ndërsa, Lajçak menjëherë pas takimit tha se “takimi nuk ishte i lehtë, por ishte shumë i sinqertë dhe i hapur”.

Pas Kosovës, ata kanë udhëtuar për në Serbi, ku janë takuar me me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Foto: Miroslav Lajçak, Twitter