Lajçak pas takimit në Bruksel: Për herë të parë u diskutua për marrëveshjen gjithëpërfshirëse

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka thënë se në takimin e sotëm në Bruksel me liderët kanë konfirmuar prioritetin për vazhdimin e dialogut.

“Është e rëndësishme që të dy liderët këtë mëngjes, teksa kanë ardhur nga takimet e Shtëpisë së Bardhë, kanë konfirmuar se janë të lidhur me prioritetet e integrimit në Bashkimit Evropian dhe në vazhdimin e punës për dialogun Beograd-Prishtinë, të ndërmjetësuar nga BE-ja”, tha Lajçak.

Lajçak tha se në takim është diskutuar për personat e pagjetur, bashkëpunimin ekonomik, tema për të cilat sipas tij është shënuar progres i plotë.

Sipas tij, për herë të parë është diskutuar edhe për marrëveshjen gjithëpërfshirëse, çështjet e komuniteteve jo shumicë, dhe pretendimeve të përbashkëta financiare e pronësore.

“Ky ka qenë këmbimi i parë që na ka lejuar neve të definojmë hapat e ardhshëm të diskutimeve tona. Takimi ynë i radhës do t’iu dedikohet këtyre dy temave. Negociatat e sotme kanë qenë intensive dhe jo të lehta, por ajo cfarë i paraprinë është vullneti i dy palëve për të vazhduar bisedimet pavarësisht çështjeve të dhimbshme dhe komplekse”, tha ai.

Lajçak konfirmoi se një takim i radhës do të mbahet javën e ardhshme në nivel të ekspertëve.

“Ne jemi takuar që të vazhdojmë me takimet në nivel të ekspertëve javën e ardhshme për të në nivel të liderëve më vonë gjatë këtij muaji”, shtoi ai.

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, Avdullah Hoti dhe Aleksandar Vuçiq, konfirmuan se i kanë përafruar qëndrimet e tyre për temën e të zhvendosurve, të zhdukurve si dhe atë për bashkëpunim ekonomik.

Ata konfirmuan se gjatë takimit të së hënës në Bruksel kanë hapur dy tema të reja: Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe zgjidhjen e kërkesave të ndërsjella financiare dhe pronësore.

Takimi i radhës në dialogun në nivelin politik, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian është caktuar të mbahet më 28 shtator.

Takimi në nivel të ekspertëve do të zhvillohet më 17 shtator.

Në Bruksel, kryeministri Hoti dhe presidenti Vuçiq, zhvilluan takim të përbashkët nën ndërmjetësimin e përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell dhe të dërguarit të bllokut për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Në Bruksel hapet tema e Asociacionit, çështjeve pronësore dhe financiare