Lajçak pas takimit me Listën Serbe: Serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e reja

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka theksuar nevojën që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e reja.

Kështu ka thënë ai sot në takimin e zhvilluar me përfaqësuesit e Listës Serbe.

“Asnjë zgjidhje politike për uljen e tensioneve në veri të Kosovës nuk mund të arrihet pa popullatën e prekur. Me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe shoqërisë civile, ne theksuam nevojën që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e reja”- ka shkruar Lajçak në Twitter.

Në këtë takim, Lajçak ka qenë i shoqëruar nga i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

 

Pas takimit nuk ka pasur deklarim para gazetarëve nga asnjëra palë.

Të dy emisarët erdhën në Kosovë pas situatës së krijuar në veri të vendit.

Ata kanë arritur dje në Prishtinë, duke zhvilluar takimin e parë me kreun e ekzekutivit, Albin Kurtin, ndërsa kanë takuar edhe liderët e partive opozitare për të vazhduar pastaj edhe në kryeqytetin serb, Beograd.

Pas takimit të djeshëm me Kurtin, Lajçak përsëriti edhe njëherë kërkesat e BE-së karshi palës kosovare.

Sipas zëdhënësit të BE-së Petar Stano, emisarët kanë ardhur në Kosovë për të rikonfirmuar kërkesat e Brukselit dhe Uashigntonit në lidhje me hapat urgjentë që duhet ndërmarrë drejt qetësimit të situatës në veri të Kosovës.