Lajçak pas takimit me Kurtin: Diskutuam propozimin për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë - Serbi

Pas më shumë se dy orëve takim me kryeministrin Albin Kurti, i dërguari i posaçëm i Bashkimi Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se “takimi nuk ishte i lehtë, por ishte shumë i sinqertë dhe i hapur”.

Lajçak tha se qëllimi i takimit mes Kurtit dhe pesë emisarëve ndërkombëtarë, ishte diskutimi i propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Qëllimi i këtij takimi me kryeministrin Kurti ishte për të diskutuar propozimin për normalizim që ju prezantua në shtator dhe më pas në dhjetor. Kaluam më shumë se dy orë me kryeministrin, gjë që tregon se takimi ishte i gjatë, nuk ishte i lehtë, por ishte shumë i sinqertë dhe i hapur”- ka thënë ai.

Lajçak tutje ka thënë se shpreson që të shfrytëzohet potenciali i plotë i këtij propozimi.

“Megjithatë në këtë pikë ne kemi pritur mirëkuptim më të mirë në lidhje me atë se çka ofron propozimi. Shpresoj të arrijmë aty dhe të shfrytëzohet potenciali i plotë i këtij propozimi”- ka thënë ai.

Tutje Lajçak u shpreh se vizita e këtij delegacioni është një sinjal që nënkupton se janë shumë të përkushtuar në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

I dërguari i posaçëm i Bashkimi Evropian tha se delegacioni do të vazhdojë për në Beograd.

“Është shumë herët për të bërë ndonjë deklaratë dramatike sepse siç ju e dini ne jemi në mes të misionit tonë dhe do të vazhdojmë për në Beograd dhe nuk mund të them më shumë”- ka thënë ai.

Pas takimit emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar dhe këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne dhe këshilltari diplomatik të Kryeministrit të Italisë, Francesco Maria Talò, nuk u deklaruan për media.

Takimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me pesë emisarët ndërkombetarë filloi në ora 10:00 dhe zgjati më shumë se dy orë.

Vizita e sotme i pason kërkesave dhe zhvillimeve për dinamizim të procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, drejt një marrëveshjeje finale mes të dyja vendeve.