Miroslav Lajçak, Foto: Arjana Berisha, 06.09.2024
Lajçak pas takimit me Bislimin: Jemi marrë vesh për një datë për takim
I dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak pas takimit me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, ka njoftuar se janë marrë vesh për një takim në kuadër të dialogut mes kryenegociatorëve.
Por, Lajçak nuk e ka bërë të ditur datën e takimit.
“Jemi marrë vesh për një datë për takim, por nuk dua ta bëj të ditur”- u shpreh ai.
Ndërsa ka thënë se marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e detyrueshme, asnjë palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje.
“Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e detyrueshme, asnjë palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje. Po punojmë me Kosovën dhe Serbinë që procesi të përshpejtohet. Ajo është pjesë e negociatave të Kosovës me BE-në dhe të Serbisë me BE-në, pra i shtohet i rëndësia”- ka thënë Lajçak.
Ai tutje ka thënë se fokus i takimit të sotëm ka qenë përgatitja e një rundi të ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve.
Më 01.09.2024 Lajçak, ka paralajmëruar një vizitë në Prishtinë për të përgatitur rundin e ri të dialogut në nivel kryenegociatorësh.
Në një postim në Facebook, Lajçak shkroi se pas një ndalese të shkurtër në Bruksel, do të niset për në Bled për të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit dhe në Prishtinë.
“Pas një ndalese të shkurtër në Bruksel, do të nisem për në Bled për të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit dhe në Prishtinë, për të përgatitur takimin e radhës të kryenegociatorëve” – tha Lajçak më 01.09.2024.
Lajçaku ishte në Kosovë më 18.06.2024, ku është takuar me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, por jo me Kurtin pasi ky i fundit nuk ndodhej në Kosovë.