Lajçak paralajmëron se do të ketë zhvillime shumë shpejt në dialogun Kosovë-Serbi

Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, përmes një njoftimi në “Facebook” ka njoftuar për takimet e tij gjatë kësaj jave në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Lajçak thotë se në fillim të javës ka qenë në Beograd pas vizitës në Prishtinë, teksa ka shtuar se është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe me Petar Petkoviqin, me të cilët ka diskutuar për të avancuar zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.

“Ngjashëm me diskutimet tona në Kosovë, ne trajtuam edhe çështje të tjera urgjente në dialogun e lehtësuar nga BE, duke theksuar nevojën për zgjidhje urgjente në përgatitje për takimin e kësaj jave të kryenegociatorëve”- ka shkruar Lajçak.

Emisari i BE-së ka theksuar se zbatimi i Marrëveshjes duhet të përparojë me të dyja palët duke përmbushur detyrimet e tyre përkatëse hap pas hapi paralelisht dhe bazuar në parimin që “të dyja palët duhet të bëjnë diçka për të marrë diçka”.

Lajçak ka shkruar edhe për takimet që ka pasur me kryenegociatorët në Bruksel se kanë diskutuar për një numër çështjesh, përfshirë statutin, planin e zbatimit, energjinë, tabelat, zgjedhjet dhe personat e zhdukur.

“Të enjten prita dy kryenegociatorët në Bruksel. Diskutuam një sërë temash – statuti, plani implementues, energjia, targat, zgjedhjet dhe personat e pagjetur. Takimet ishin të dobishme për të bërë përparim në një sërë çështjesh në agjendën tonë të dialogut dhe pres një vazhdim të shpejtë së shpejti. Prandaj, kam në plan të vazhdoj bisedimet në ditët dhe javët në vijim”- është shprehur Lajçak.

Emisari ka përmendur edhe takimin që ka pasur në Bruksel me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

“Të mërkurën pata një takim të dobishëm me liderin e partisë opozitare të Kosovës, PDK-së, Memli Krasniqi. Folëm për situatën në Kosovë dhe rëndësinë e progresit në dialog për rrugën europiane të Kosovës” – ka thënë ndër të tjera Mirosllav Lajçak.

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka thënë të enjten se pa nënshkrim të marrëveshjeve të arritura deri më tani, nuk mund të ecet përpara drejt zbatimit të tyre.

Sipas tij takimet e së enjtes në Bruksel kanë përfunduar pa një takim trepalësh, “sepse nuk ka pasur nevojë për diçka të tillë”.

Ai është takuar vetëm me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, por jo edhe me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq.

Bislimi e ka konfirmuar se në takim me Lajçakun është diskutuar për një plan të sekuencuar të zbatimit të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe për aneksin e zbatimit.