Takimi trepalësh i 24 tetorit 2024 në Bruksel. Foto: Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Mirosllav Lajçak në rrjetin social ‘X’.
Lajçak optimist nga takimi i fundit i dialogut Kosovë- Serbi
Emisari i Bashkimit Europian për Dialogun, Mirosllav Lajçak thotë se është optimist për “disa përparime të arritura në disa çështje kyçe” në takimin e fundit trepalësh me kryenegaciatorët e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Këto çështje kyçe, siç tha ai, do të ndiqen gjatë javëve të ardhshme.
Megjithatë, ai shtoi në postimin e tij në Facebook, se gjatë takimit nuk u bënë hapa “në avancimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht përmes zbatimit të Marrëveshjes së vitit 2023 për Rrugën drejt Normalizimit.”
“Megjithëse nuk bëmë hapa përpara për këtë, unë jam optimist për disa përparime të arritura në disa çështje të tjera kyçe, të cilat do t’i ndjekim në javët e ardhshme”, shkroi Lajçak.
“Gjithashtu pata rastin të takohem me Drejtorin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë për të diskutuar bashkëpunimin energjetik në Ballkanin Perëndimor dhe rëndësinë e integrimit në tregun e BE-së në mes të kompleksitetit në marrëdhëniet Kosovë-Serbi”- ka shkruar ai më 29.10.2024.
Edhe pse u takuan për herë të parë pas tre muajsh në një takim trepalësh, përsëri takimi ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, nën udhëheqjen e Mirosllav Lajçak, nuk dha rezultate në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes bazë për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ky takim u cilësua si “i dështuar”, ani pse tregoi se janë shënuar disa hapa pozitivë që kanë të bëjnë me fusha të tjera.
“Nuk ka rezultate në pikën rreth ecjes përpara në normalizim të raporteve. Serbia po insiston edhe më tutje në implementim të pjesshëm, sipas idesë ‘ne bëjmë diçka, ju bëni diçka“- ka thënë Bislimi për media pas takimit më 24.10.2024.
Përpos “dështimit” ashtu siç e quajti Bislimi, janë arritur edhe disa pajtueshmëri në lidhje me inspektorë sanitarë e veterinerë në veri.
Bislimi tha se janë pajtuar që të themelojnë një grup punues që t’i harmonizojë 20 veterinarë për kalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Përveç kësaj, ai tha se janë pajtuar edhe që të kërkohet që inspektorët sanitarë të vendosen në mënyrë të përhershme te pika kufitare Dheu i Bardhë.
Ndërsa, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se bisedimet në Bruksel ishin të mundimshme dhe se delegacioni i tij ka insistuar në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Thelbi i të gjitha marrëveshjeve, si asaj në Bruksel ashtu edhe në Ohër, është formimi i AKS-së dhe kjo është baza e normalizimit të marrëdhënieve” – ka thënë Petkoviq sipas televizionit publik të Serbisë më 24.10.2024.
Takimi në Bruksel, “i dështuar” në zbatimin e Marrëveshjes, me lëvizje në fusha dytësore