Aleksander Vuçiq, Johannes Hahn dhe Miroslav Lajcak - Foto: BETA

Lajçak nuk komenton deklaratat e Vuçiqit për njohjen e Kosovës: Na lini ta bëjmë punën dhe na besoni

Përfaqësuesi i Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, nuk ka dashur të komentojë deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se përderisa ai mund të ndikojë, shteti që ai drejton nuk do ta njoh Kosovën.

Pas takimit me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, Lajçak ka kërkuar besim për procesin e dialogut.

“Unë nuk komentoj deklaratat, unë jam ndërmjetësues. Na lini ta bëjmë punën tonë dhe na besoni neve” – tha ai para gazetarëve.

Ditë më parë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, derisa ishte duke raportuar në Kuvendin e Serbisë në lidhje me dialogun me Kosovën, ka thënë se përderisa ai mund të ndikojë, shteti që ai drejton nuk do ta njohë Kosovën.

“Dua që si dikush i cili është betuar mbi Kushtetutë dhe si dikush i cili me gjasë ka fituar edhe besimin më të madh në përqindje të njerëzve tanë prej që kur ekziston sistemi shumëpartiak në Serbi, e jam betuar mbi Kushtetutën e Serbisë që përderisa mund të ndikoj, Republika e Serbisë nuk do të pranojë as në mënyrë të drejtpërdrejtë e as të tërthortë pavarësinë e deklaruar njëanshëm të krahinës sonë jugore…” – ka thënë Vuçiq para deputetëve.