Miroslav Lajcak - Foto: Fatrion Ibrahimi/KALLXO.com

Lajçak: Nuk ka marrëveshje të re për energjinë, është udhërrëfyes

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak, ka thënë se nuk ka marrëveshje të re për energjinë por, sipas tij, është thjesht një udhërrëfyes se si të zbatohen dy marrëveshjet e nënshkruara për energjinë në vitin 2013 dhe 2015 dhe nuk është marrëveshje e re.

Lajçak, në emisionin “Kallxo Përnime”, tha se kjo është një nga problemet me të cilat po përballet rreth marrëveshjeve të kaluara, sepse, sipas tij, ato lexohen ndryshe në Prishtinë e ndryshe në Beograd.

“Ne kemi punuar 8 muaj në këtë dokument, për ta sqaruar saktësisht se kush për çka është përgjegjës dhe deri kur duhet ta kryejë obligimin e marrë. Hapi i parë tashmë është realizuar, përkatësisht kompania e krijuar serbe “Elektrosever”, do të licencohet dhe do të fillojë të punojë në kuadër të legjislacionit të Kosovës dhe do të furnizojë katër komunat në veri të Kosovës me energji elektrike”, tha ai.

Lajçak shtoi se janë siguruar që të ketë transparencë në mënyrë që mos të jetë një situatë që është jotransparente dhe jashtë sistemit ligjor të Kosovës.

“Ne jemi të vetëdijshëm që kjo nuk e adreson çështjen e pronave, sepse kjo do të adresohet më vonë. Por tani të gjithë do të duhet të paguajnë për rrymën që konsumojnë dhe Qeveria e Kosovës nuk do të ketë nevojë të subvencionojë rrymën e shpenzuar”, tha Lajçak.

“Elektrosever” sipas Lajçak është kompani e licencuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, ZREE, dhe janë pjesë e sistemit ligjor të Kosovës, prandaj sipas tij edhe mjetet e mbledhura do të kthehen në buxhetin e Kosovës.

Çështja e borxhit të mbledhur që nga viti 1999 nuk është diskutuar në kuadër të dialogut, sipas Lajçakut.

“Marrëveshja përmban afate kohore shumë specifike deri në muajin korrik të vitit 2024, mirëpo shumica e detajeve duhet të përmbushen deri në korrik 2024, pra e kemi të qartë se kush dhe çka duhet bërë deri atëherë”, tha ai.

Emisari i BE-së ka folur edhe për nënstacionin e rrymës në Vallaq, duke thënë se gjatë bisedimeve është diskutuar kjo temë.

Lajçak tha se KEDS dhe KOSST-i bashkë me “Elektrosever” do të sigurohen që të gjitha të dhënat dhe qasjet të jenë të gatshme.

Lajçak ka njoftuar se mandati i tij është vazhduar për 24 muaj.

Ai tha se në momentin kur e mori këtë rol, nuk kishte pasur dialog fare për dy vjet.

“Kishte pasur disa takime në Paris e Berlin, mirëpo nuk kishte përfshirje të BE-së, pra nuk kishte dialog. Detyra ime e parë ishte që ta vë dialogun në lëvizje, dhe ta vendos Bashkimin Evropian në rolin e pilotit të kësaj lëvizjeje, pra ta rifillojë procesin”, u shpreh ai.

Më 21 qershor të këtij viti, në Bruksel është arritur marrëveshja për zbatim të marrëveshjes për energjinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Gjatë takimeve ishte arritur pajtueshmëri për udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energji dhe përgatitjet për një takim në nivelin e lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Arrihet marrëveshja për zbatim të marrëveshjes për energjinë