I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak

Lajçak nuk do të bëhet ambasador i BE-së në Zvicër

Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak nuk do ta marrë postin e ambasadorit të BE-së në Zvicër.

Kështu ka njoftuar të premten, më 06.09.2024, delegacioni i BE-së në Zvicër.

“Për shkak të zhvillimeve të paparashikuara ambasadori i caktuar i Bashkimit Europian në Zvicër, Mirosllav Lajçak, më në fund nuk do të marrë postin në Bern. Në përputhje me rrethanat, mandati i ambasadorit të tanishëm Petros Mavromichalis është zgjatur deri më 31.08.2025” – kanë njoftuar nga delegacioni i BE-së në Zvicër, në platformën X.

Sipas BE-së, Mavromichalis ka pozitën e ambasadorit të BE-së në Zvicër nga data 01.09.2020.

Në anën tjetër, Lajçak ka qëndruar në Kosovë më 06.09.2024. Ai zhvilloi takim me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, por jo edhe me krerët e shtetit, presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin Albin Kurti.

Zëvendëskryeministri Bislimi në takim me Lajçak, ka deklaruar se Ura e Ibrit duhet të hapet pa vonesa dhe pa pengesa të mëtejme ashtu siç është rënë dakord në Bruksel.

Sipas Bislimit, ajo duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese dhe konkluzioneve të vet raportit të Komisionit Evropian të vitit 2020.

Lajçak pas takimit me zëvendëskryeministrin Bislimi, ka njoftuar se janë marrë vesh për një takim në kuadër të dialogut mes kryenegociatorëve.

Por, Lajçak nuk e ka bërë të ditur datën e takimit.