Miroslav Lajcak - Foto: Fatrion Ibrahimi

Lajçak në Mitrovicën e Veriut: Nuk mund të ketë më barrikada

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se në veri të Kosovës nuk mund të përsëriten tensionet e 31 korrikut, kur disa serbë lokalë ngritën barrikada, për të penguar Qeverinë e Kosovës në zbatimin e vendimeve të saj për targa dhe dokumente udhëtimi.

Lajçak, bashkë me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, takuan mëngjesin e së enjtes përfaqësuesit serbë në veri të Kosovës.

“Kjo është arsyja përse jemi sot këtu, që njerëzit të mos kenë frikë, të mos kenë frikë për jetën e tyre, për një jetë normale… Ne po bëjmë gjithçka për t’u siguruar që të mos ketë barrikada”, tha Lajçak pas takimit të zhvilluar në Mitrovicën e Veriut.

Ai nuk deshi të flasë për zgjidhje dhe propozime të mundshme, duke thënë se “misioni po vazhdon” dhe se paqja duhet të ruhet.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak (djathtas) dhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Mitrovicë e Veriut, 25 gusht 2022. Foto: REL

Lajçak, po ashtu, nuk iu përgjigj pyetjes së gazetarëve nëse bashkësia ndërkombëtare kërkon nga Kosova që të shtyjë zbatimin e vendimit edhe për tre muaj, siç u spekulua në disa media në Kosovë.

“Ka aq shumë spekulime rreth këtij procesi, nuk dua të futem në to”, tha ai.

Diplomati evropian nuk komentoi as deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se nga 1 shtatori do të nisë zbatimi i vendimeve për targa dhe dokumente udhëtimi, por tha se “po punohet që të mos ketë barrikada”.

“Unë jam optimist, duhet të jem optimist. Ne duam që 1 shtatori të jetë një ditë normale dhe e zakonshme”, tha Lajçak.

Escobar tha shkurtimisht se “misioni vazhdon në Beograd” dhe se ai shpreson të bëjë një deklaratë në Beograd – sot më vonë ose nesër.

As Lista Serbe – subjekti më i madh serb në Kosovë, përfaqësues të të cilit morën pjesë në takim – nuk u prononcua për media./REL.

Escobar dhe Lajçak, janë takuar në Mitrovicën e Veriut me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq, dhe kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri: Millan Radojeviq, Dragisha Milloviq, Zoran Todiq dhe Sërgjan Vulloviq.

Në takim ka marrë pjesë edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Escobar dhe Lajçak ndodhen në Kosovë që nga 23 gushti, ku janë takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe përfaqësues të opozitës.

Escobar dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, po realizojnë vizita në Prishtinë dhe Beograd në përpjekje për të bindur palët që të arrijnë marrëveshje për tejkalimin e tensioneve në veri të Kosovës si dhe për çështjen e targave të veturave dhe dokumentet serbe.

Në takimin e fundit të nivelit të lartë në Bruksel, që është mbajtur më 18 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk kanë arritur marrëveshje për këto çështje./REL