Lajçak takohet me Presidentin serb Vuçiç në Beograd. FOTO: VOA.

Lajçak në Beograd para takimit të radhës Kosovë-Serbi

I dërguari evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, po qëndron për një vizitë dy ditëshe në Beograd ku u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, në përpjekje për të siguruar arritjen e një marrëveshjeje dhe zbatimin e saj, të ofruar nga perëndimi, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Më 27 shkurt kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, i thanë po një plani të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, por nuk pati nënshkrim dokumenti për shkak të mospajtimeve për zbatimin e tij, që do të kërkojë më shumë bisedime.

Presidenti serb Vuçiç tha të hënën se ka zhvilluar një bisedë të vështirë por domethënëse me zotin Lajçak. “Biseda për Kosovën dhe të ardhmen evropiane të Serbisë do të vazhdojë sonte dhe nesër”, shkroi ai në një postim në rrjete sociale.

Zoti Lajçak shkoi në Beograd, pas një vizite dyditëshe në Kosovë ku u takua me udhëheqës të institucioneve e përfaqësues të partive politike opozitare, në kuadër të përgatitjeve për takimin e radhës Kosovë – Serbi me 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç, e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në atë takim, për të diskutuar udhërrëfyesin e zbatimit të planit evropian që nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por kërkon që palët të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të njëra-tjetrës.

Plani evropian parasheh mes tjerash përmbushjen e marrëveshjeve të deritashme, përfshirë edhe atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që është pjesa më e vështirë e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Presidenti serb Vuçiç, tha në prag të takimit me zotin Lajçak se e sheh të pakuptimtë të flas për Asociacionin “kur pala tjetër nuk dëshiron as të diskutojë e lëre më ta zbatojë atë”.

Megjithatë ai tha se është i gatshëm të shkojë në Ohër, duke ritheksuar se nuk do të ketë njohje “as de facto dhe as de jure” të pavarësisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se i dërguari evropian Lajçak, ka ofruar 15 modele evropiane për Asociacionin që mund të shfrytëzohen gjatë negociatave për të.

“Unë besoj që ato janë modele nga të cilat ne do të mund të marrim elemente në mënyrë që jo vetëm të drejtat e njeriut, por edhe të drejtat e pakicave kombëtare të jenë në nivelin e duhur edhe në vendin tonë. Ato po trajtohen nga këshilltarët e mi, nga disa prej ministrave, në mënyrë që të shohim se çfarë është më e favorshme. Natyrisht kushtetutshmëria, ligjshmëria, barazia e funksionimi i shtetit janë diçka me të cilën ne nuk bëjmë asnjëherë e askund kompromis”, tha ai.

Diplomatët perëndimorë shpresojnë që të arrihet përparim në takimin e 18 marsit, disa ditë para se shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell të raportojë në Këshillin Evropian për rrjedhën e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë kanë thënë se janë paralajmëruar nga diplomatët perëndimorë se mund të përballen me sanksione në rast të refuzimit të planit evropian./VOA.