Avdullah Hoti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Lajçak ndërhyn në kërkesën e Vuçiqit për vizitë në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se ka pranuar letër nga emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Letra ndërlidhet me vendimin e Kosovës që t’ia ndalojë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq vizitën në Kosovë.

Ndërkaq, në një paraqitje para gazetarëve të enjten, kryeministri Avdullah Hoti tha se do të përgjigjet letrës së Lajçak.

“Marrëveshjet ne i respektojmë, sigurisht dhe jemi pro lëvizjes së lirë pa diskutim. Ne po punojmë në proces të dialogut që të përmbyllim të gjitha çështjet e hapura që i kemi me Serbinë, por nganjëherë disa çështje janë mjaft të ndishme dhe në kontekst të ndjeshmërisë së situatave sillemi. Unë kam pranuar letrën nga z.Lajçak do t’i përgjigjem dhe në fakt jam në komunikim të rregullt me të, po çdo kërkesë për vizitë duhet të trajtohet në kontekst të ndjeshmërisë së situatës nëpër të cilën po kalojmë”, theksoi Hoti.

I pyetur lidhur me deklaratën e ministres së Jashtme Meliza Haradinaj, e cila ka thënë se Vuçiqit nuk do t’i lejohet hyrja në Kosovë derisa të kërkojë falje për gjenocidin serb, Hoti tha se qëndrimet zyrtare të qeverisë i përfaqëson vetë ai.

“Qëndrimet zyrtare të qeverisë i përfaqësoj unë, jo tjetër kush. Sigurisht unë i koordinoj çështjet edhe me ministrat përkatës. Ministrat nganjëherë mund të kenë qëndrime të caktuara, por në fund ato koordinohen me mua”, shtoi kryeministri.

Ditë më parë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka bërë kërkesë që të vizitojë Kosovë, por kjo i është refuzuar nga shteti i Kosovës.