Lajçak: Marrëveshjet e Uashingtonit e kanë larguar më shumë Kosovën nga e ardhmja evropiane

Në një diskutim të organizuar nga Ambasada gjermane në Uashington ditën e martë, Miroslav Lajçak u ankua lidhur me situatën e bashkëpunimit BE – SHBA mbi dialogun Kosovë-Serbi gjatë vitit 2020.

Lajçak, përfaqësues special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, i tha ambasadores gjermane në Shtetet e Bashkuara, Emily Margerethe Haber, se vitin e kaluar “dakordimi midis ShBA-së dhe BE nuk po funksiononte”.

Ai shtoi se përderisa më parë ShBA dhe BE kanë punuar “së bashku” mbi politikën e jashtme në Ballkanin Perëndimor, në vitin 2020 kishte “dy rrugë të qarta – njëra e ShBA-së dhe tjetra e BE-së”. Përfaqësuesi special deklaroi se kjo situatë nuk ishte zgjedhje e Bashkimit Evropian dhe shkaktoi konfuzion midis zyrtarëve në Ballkanin Perëndimor

Lajçak po ashtu bëri të ditur se të gjitha dokumentet e nënshkruara nga Kosova dhe Serbia në vitin 2020 nën patronazhin e të dërguarit special presidencial të ShBA-së, Richard Grenell, u arritën pa asnjë konsultë me BE-në, megjithë tejkalimin në qëllimet dhe projektet ekzistuese të infrastrukturës evropiane.

Ai shtoi se dokumentet e nënshkruara në Uashington DC më 4 shtator “e shtynë Kosovën dhe Serbinë më larg nga një e ardhme evropiane pasi ato nuk i plotësonin standardet evropiane”.

Sidoqoftë, Lajçak shpreson se administrata e re e ShBA e udhëhequr nga presidenti i zgjedhur Joe Biden do ta rivendosë bashkëpunimin e ngushtë midis BE-së dhe Shteteve të Bashkuara mbi politikën e jashtme në rajon. Ai e përshkroi administratën e re si “të vetëdijshme për trashëgiminë e ShBA-së dhe arritjet e ShBA-së në Ballkanin Perëndimor” dhe që përmban “njerëz që tashmë e kanë provuar veten se janë partnerë të besueshëm”.

“Ne nuk do të duhej t’i shpjegonim gjërat që nga fillimi”, shtoi përfaqësuesi special.

Lajçak ka luajtur rol kryesor në ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE që kur ky dialog rifilloi në korrikun e vitit 2020 dhe deklaroi se ka ardhur koha që diskutimet të përfundojnë përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim marrëdhëniesh. Ai shtoi se marrëveshja duhet të jetë e qartë për sa i përket implementimit me përgjegjësitë dhe afatet kohore të identifikuara në mënyrë të qartë.

Sa i përket rifillimit të dialogut, Lajçak deklaroi se është e rëndësishme të pritet krijimi i Qeverisë së re të Kosovës, por shtoi se është shumë e rëndësishme të rifillojë mbi atë që u arrit nga Qeveria Hoti.