Pamje nga fillimi i takimit trepalësh në Ohër
Lajçak: Kjo javë ka qenë e gjitha rreth dialogut, përgatitjet dhanë rezultat
I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është shprehur se kjo javë ka qenë e gjitha rreth dialogut mes dy vendeve.
Përmes një shkrimi Lajçak u shpreh se javën e nisi me udhëtim në Beograd ku pati takim me presidentin Aleksandar Vuçiq për të diskutuar lidhur me dialogun, po ashtu takoi edhe partitë opozitare pro BE-së.
“Kjo javë ka qenë e gjitha rreth dialogut. Filloi me një udhëtim në Beograd, ku vazhdova përgatitjet për takimin për dialogun e nivelit të lartë me presidentin Aleksandar Vuçiq. Gjatë takimit tonë, diskutuam për aneksin e zbatimit dhe rrugën përpara për Marrëveshjen. Derisa isha në Beograd, pata gjithashtu mundësinë të takohesha me partitë opozitare pro-Bashkimit Evropian për të diskutuar lidhur me dialogun dhe për të dëgjuar pikëpamjet e tyre për takimin dhe rrugën përpara. Më erdhi mirë kur pashë se shumica e tyre ishin në mbështetje të Marrëveshjes dhe rëndësisë së saj”- u shpreh Lajçak.
Tutje, ai shtoi se pas kthimit në Bruksel pati disa përgatitje me ekipin e tij lidhur me dialogun të cilat kulmuan në Ohër ku, sipas tij, liderët e Kosovës dhe Serbisë ranë dakord për aneksin e marrëveshjes.
“Pas kthimit në Bruksel, pata një ditë e gjysmë përgatitje intensive me ekipin tim, të cilat kulmuan me takimin e djeshëm të dialogut të nivelit të lartë në mjedisin piktoresk të liqenit të Ohrit në Maqedoninë e Veriut. Gjatë takimit, të thirrur nga Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell dhe unë, liderët e Kosovës dhe Serbisë ranë dakord për aneksin zbatues të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve të tyre”- shtoi ai.
Lajçak theksoi se të dy liderët u angazhuan plotësisht për të respektuar të gjitha nenet e marrëveshjes.
“Pas 12 orësh negociatash intensive, të dy u angazhuan plotësisht për të respektuar të gjitha nenet e marrëveshjes dhe për të zbatuar detyrimet e tyre përkatëse në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim. Ishte mirë të shihje se javët e përgatitjeve dhanë rezultat”- shtoi tutje ai.
I dërguari i BE-së shtoi se takimi në Ohër i dha gjithashtu mundësi për t’u takuar me partnerët në Maqedoninë e Veriut, të cilëve u ështe mirënjohës për mikpritjen dhe mbështetjen e tyre.