
Lajçak: Kërkuam nga presidentja Osmani gjetjen e një zgjidhjeje që mundëson shtensionim të menjëhershëm
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, bashkë me të dërguarin e SHBA-së, Gabriel Escobar, sot gjatë ditës janë takuar me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.
Lajçak, përmes një postimi në Twitter, tha se i ka kërkuar Osmanit gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë politike për shtensionimin e situatës në veri.
“Ne theksuam rëndësinë e gjetjes së një zgjidhjeje politike që mundëson shtensionimin e menjëhershëm dhe kthimin në normalizim”- ka shkruar Lajçak.
This morning, we discussed the situation in the north of Kosovo with President @VjosaOsmaniPRKS.
We stressed the importance to find a political solution allowing for immediate de-escalation and return to normalisation. pic.twitter.com/FeIQYa8bkQ— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) June 6, 2023
Në takim, presidentja Osmani ka shprehur përkushtimin e plotë që të punohet së bashku me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që në veri të vendit të sundojë rendi e ligji dhe të ruhet sovraniteti i Republikës së Kosovës.
Sipas saj, ndëshkimi i grupeve kriminale dhe individëve që përdorën dhunë ndaj Policisë, gazetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve, është rruga e vetme për stabilitet të qëndrueshëm dhe afatgjatë.
“Presim që institucionet ligjzbatuese ta bëjnë punën e tyre, në përputhje me ligjin, në mënyrë që grupet kriminale përgjegjëse për dhunën të përballen me drejtësinë”- ka thënë ajo.
Sipas njoftimit, Osmani ka potencuar se zgjedhjet e reja në komunat në veri të vendit mund të organizohen në përputhje me kornizën aktuale kushtetuese e ligjore dhe në këtë kontekst, ajo shtoi se duhet të sigurohet pjesëmarrje demokratike e qytetarëve që jetojnë në këto katër komuna.
Të dy emisarët erdhën në Kosovë pas situatës së krijuar në veri të vendit.
Ata kanë arritur dje në Prishtinë, duke zhvilluar takimin e parë me kreun e ekzekutivit, Albin Kurtin, ndërsa kanë takuar edhe liderët e partive opozita te për të vazhduar pastaj edhe në kryeqytetin serb, Beograd.
Pas takimit të djeshëm me Kurtin, Lajçak përsëriti edhe njëherë kërkesat e BE-së karshi palës kosovare.
Sipas zëdhënësit të BE-së Petar Stano, emisarët kanë ardhur në Kosovë për të rikonfirmuar kërkesat e Brukselit dhe Uashigntonit në lidhje me hapat urgjentë që duhet ndërmarrë drejt qetësimit të situatës në veri të Kosovës.
Një ndër kërkesat e SHBA-së ka qenë që kryetarët e zgjedhur të mos e ushtrojnë detyrën e kryetarëve në objekte komunale por në ndërtesa alternative.
Madje SHBA ka përjashtuar ushtrinë e Kosovës nga ushtrimi “Defender Europe 23” si pasojë e ‘mosdëgjimit’ nga Qeveria e Kosovës.
Që nga mesdita e 26 majit serbët lokalë të komunave veriore të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit janë grumbulluar dhe kanë protestuar duke kundërshtuar vendosjen e kryetarëve të rinj në objektet komunale.
Katër kryetarë shqiptarë u zgjodhën në krye të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.