Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Lajçak kërkon shtensionim të menjëhershëm në veri të Kosovës

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian (PSBE) për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në pikën kufitare në Jarinje.

Lajçak përmes një postimi në Twitter ka kërkuar që të qetësohet situata dhe të lejohet liria e lëvizjes.

“I informova krerët e misioneve të Bashkimit Evropian mbi situatën në veri të Kosovës. Unë jam i shqetësuar dhe bëj thirrje për shtensionim të menjëhershëm. Është e rëndësishme të zvogëlohen tensionet, të rivendoset një atmosferë paqësore dhe të lejohet liria e lëvizjes. Ne jemi të gatshëm për të lehtësuar bisedimet për të gjitha çështjet e hapura në dialog”, ka shkruar Lajçak.

Qeveria e Kosovës ka vendosur masë reciprociteti ndaj Serbisë për targat e automjeteve. Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës.

Këto targa të përkohshme, po u vendosen veturave në xhamat para dhe prapa.

Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.

 

Vuçiq: Kosova të tërheqë policinë ose do marrim masa