Lajçak kërkon ndryshime në Kushtetutë për Asociacionin
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë do të jetë e nevojshme që të ndryshohej edhe Kushtetuta.
Këto komente, Lajçak i ka bërë nga Beogradi pas takimit që ka mbajtur të enjten në mbrëmje me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai tha se gjatë 25 takimeve në Prishtinë, asnjë nga bashkëbiseduesit e tij nuk e kishte mohuar themelimin e Asociacionit si obligim i dalë nga marrëveshjet me Serbinë të nënshkruara nën ndërmjetësimin e BE-së më 2013 dhe 2015.
“Askush nuk ka thënë se kjo është e pamundur, Kushtetuta nuk është Bibël. Nëse merremi vesh për gjëra serioze, atëherë natyrisht se kjo duhet të reflektohet edhe në Kushtetutë”, tha Lajçak, raporton RTS.